Bashkia Kukës ka nisur punën për përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit në tokat bujqësore, ndërkohë ende nga Ministria e Bujqësisë për këtë vit nuk është planifikuar fond investimi. Bujar Muçmata, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Kukës ka thënë se janë dorëzuar disa projekte aplikimi për shkak të problematikës së mbartur, por ende nuk është çelur asnjë investim.
“Kemi nisur punën për përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit në territorin e Bashkisë Kukës. Këtë tre mujor do të punojmë në tre objekte të kësaj fushe. Aktualisht ka nisur puna për sistemin dhe shtrimin me beton të kanalit dytësor në fshatin Kodër-Lumë i cili do të rivendos në ujitje dhjetra ha tokë bujqësore dhe do të shtojë rritjen e kapaciteteve prodhuese të fermerëve të kësaj zone.
Projekti tjetër ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve mbartëse të ujit në Kanalin e Uzinës, vepra më e madhe ujitëse në Kukës. Do të ketë një rritje të ujit në dy anët e këtij kanali me nje kapacitet shtesë për 300 litër ujë në sekondë.Ndërsa vepra tjetër do të jetë kanali I madh i kullues i Shtiqnit” tha Bujar Muçmata. Bashkia e Kukësit drejtohet nga Bashkim Shehu i zgjedhur nga Partia Demokratike.