Bashkia Lezhë i ka bërë thirrje qeverisë që të rindërtojë të gjitha pallatet e vjetra që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit. Ky fakt është bërë i ditur nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak ku u miratua bonusi i qirasë për 173 familje të tjera që kanë ngelur të pastrehë pasi tërmeti i dëmtoi banesat. Sipas Ndreut tashmë Lezha ka hyre në fazen e rindërtimit dhe se pallatet e ndërtuara para viteve 90 nuk kanë garanci në rast lëkundjesh më të forta sizmike.
“Kanalizohen nëpërmjet Ministrisë së Rindërtimit të gjitha dëmet ku bën pjesë edhe qarku i Lezhës, për vete jam partizan që të rinovohen të gjithë pallatet e vjetra pasi kanë çeduar. Konkluzioni ka qenë që edhe ato që janë të banueshme janë të degraduara pasi janë pallate të vjetra. I kam propozuar kryeministrit në një takim që kemi pasur para 1 jave me bashkitë e prekura nga tërmeti që të bëhet një plan për rinovimin e qytetit, sepse unë nuk jap garanci dhe as ekspertët që nëse ka një tërmet me disa ballë edhe pse këto pallate janë të banueshme sot mund të rrëzohen”, tha Pjerin Ndreu kryetar i Bashkisë Lezhë.
Në Bashkinë e Lezhës janë shpallur të pabanueshme 10 pallate të ndërtuara para viteve ‘90, por numri i atyre që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti është shumë herë më i lartë.