Qyteti i Shkodrës është zbukuar për festa me drita shumëngjyrëshe, por dekorit festiv i mungon urimi për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2025. Ky detaj i ka bërë përshtypje, famullitarit të Katedrales sё Shkodrёs, dom Vlash Palaj, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale, thotë se bashkia që drejtohet nga Benet Beci qëllimisht nuk ka vendosur banderola në qytet, duke diskriminuar komunitetin katolik.

“Bashkisë Shkodër, pse me e fsheh, kur dikush âsht në festë e ndjen fort dëshirën me marrë sa mâ shumë urime?

Jena në prag të Krishtlindjes, në prag të asaj feste që katolikët shqiptarë me shumë sakrifica e kanë festue edhe gjatë diktaturës, bile mund t’a kenë pague edhe shtrejtë.

Prandaj presim që Bashkia Shkodër, e cila nuk duhet me u identifiku me një person, apo edhe me disa, por si një ent i zgjedhun i pushtetit lokal, me i shërbye komunitetit pjesë e të cilit âsht edhe ai katolik, të vendosë sa më parë në vendet e duhuna publike, pankartat me urimin: Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2025!”, shkruan Dom Vlash Palaj.

Deklarata e tij është shpërndarë dhe ka marrë me qindra komente në rrjetet sociale, ku të shumtë janë intelektualët e qytetit, që shkruajnë se “Bashkia duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe të tregojë mirënjohje për diversitetin e besimeve fetare që e pasurojnë qytetin”.

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:44
Famullitari kritikoi bashkinë e Shkodrës, distancohet Massafra: Banderolat i vendosim vetë! Festojmë Krishtlindjen në paqe!

1734439214_angelomassafra.jpg

Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra ka reaguar lidhur me shqetësimin e ngritur nga famullitari i tij, dom Vlash Palaj për dekorin festiv të qytetit. Massafra tha se qendrimi i famullitarit është personal dhe jo në emër të Kishës.  

"Në vitet e kaluara parullat me urimin për festat, janë prodhuar dhe vendosur nga vetë Komunitetet Fetare, me një leje të posaçme nga Bashkia. Propozoj që nga viti 2025 e në vazhdim të ndiqet e njëjta praktikë", thekson ai.  

DEKLARATË

Zoti Ju dhashtë Paqe.

Sapo u zgjova në mëngjes, pas Meshës së Shenjtë, lexova në media që “Kisha Katolike” kishte kritikuar Bashkinë Shkodër dhe Kryetarin e saj për vonesën në vendosjen e parullës me mesazhin e urimit për festën e Krishtlindjes në qendër të qytetit.

Së pari ju bëj me dije se Kisha Katolike në Shkodër përfaqësohet nga Shkëlqësia e Tij Imzot Angelo Massafra dhe jo nga Dom Vlash Palaj, famullitari, i cili ka postuar statusin në media sociale, dhe nga asnjë Meshtar tjetër, pa autorizimin e Arqipeshkvit.

Për këtë arsye: Unë distancohem nga kjo mënyrë veprimi.

Së dyti ndjej një keqardhje të thellë për përdorimin e këtij statusi nga media dhe individë të ndryshëm, për qëllimet e tyre personale apo politike.

Fatkeqësisht përdorimi i këtij statusi nga mediat ka krijuar një atmosferë jo të përshtatshme në prag të festës së Krishtlindjes.

Shfrytëzoj rastin të falenderoj publikisht Bashkinë Shkodër për bashkëpunimin e veçantë për organizimin e Luminit të Martirëve të fesë Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigi Paliq.

Dëshiroj t’ju kujtoj gjithashtu, se në vitet e kaluara parullat me urimin për festat, janë prodhuar dhe vendosur nga vetë Komunitetet Fetare, me një leje të posaçme nga Bashkia. Propozoj që nga viti 2025 e në vazhdim të ndiqet e njëjta praktikë.

Të nderuar, lus dhe uroj që kjo deklaratë të shërbejë për të qetësuar situatën, dhe të vlerësojmë festën e Krishtlindjes për të qenë, siç thotë Papa Françesku “Artizanë të paqes”.

Zoti na bekoftë!

+ Angelo Massafra OFM
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult