Ashtu si edhe për ligjin për “njoftimin dhe konsultimin publik” është e njëjta gjë.
Ky raport u përgatit me iniciativën e shoqatës “Intelektualët e rinj, Shpresë”, në kuadër të projektit “Bëhu aktiv, ndërto të ardhmen!” me mbështetjen financiare të “Olof Palme International Center” në Shqipëri përmes financimit të qeverisë suedeze, nën drejtimin dhe udhëheqjen e njërës prej eksperteve më të mira në vendin tonë në fushën e së drejtës administrative, prof.asoc.dr. Migena Leskoviku.
Sipas raportit, nuk ka informacion as për vetë kryetaren e bashkisë.
Gjithsej janë dërguar nga kjo shoqatë nëntë kërkesa për informim, ku është kërkuar informacion kryesisht në lidhje me zbatimin e ligjit Nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, si dhe të ligjit nr.146/2014, “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”.
Nga këto kërkesa, vetëm njërës prej tyre i është kthyer përgjigje brenda afatit ligjor 10-ditor dhe në tre raste përgjigjet janë kthyer me ndërhyrjen e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe në pesë raste të tjera përgjigjet kanë ardhur duke tejkaluar afatin sipas ligjit. Deri tani, rezulton se janë adresuar në këtë bashki 20 kërkesa për periudhën janar-shkurt 2016 dhe janë kthyer përgjigjet përkatëse nga kjo Bashki. Por nuk ka përditësime për kërkesa të tjera pas dates 23 shkurt 2016.
Ajo që është vërejtur nga monitorimi lidhet me faktin se, ndonëse ligji ka hyrë në fuqi më 2.11.2014, programi i transparencës është publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër në datën 17 mars 2016.
Nga komunikimet me Bashkinë Shkodër jemi informuar se struktura organizative është miratuar sipas vendimit, datë 01.10.2015, “Për miratimin e strukturës organizative të administratës së Bashkisë, Institucioneve të varësisë dhe Shërbimeve Publike”, por kjo strukturë nuk rezulton të jetë e publikuar në faqen zyrtare, ku informacioni përmban vetëm të dhëna të organigramës së vitit 2014!
Në lidhje me percaktimet e gërmës c, pika 1 të nenit 7 të ligjit ku duhet të jepet informacion për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe procedurat e ankimit të vendimit përkatës, nga monitorimi i faqes zyrtare rezulton se ky informacion gjendet i përfshirë si pjesë e programit të transparences, si dhe në rubrikën “E drejta e informimit”, ku është përcaktuar se “formati kërkesë” dhe “formati ankesë” gjendet në rubrikën “formular online”; por nga monitorimi rezulton se një informacion i tillë nuk gjendet!
Në lidhje me percaktimet e gërmës d, pika 1 të nenit 7 të ligjit ku duhet të jepet informacion përsa i takon të dhënave për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për të marrë vendime;nga monitorimi rezulton se një informacion i tillë nuk ekziston! Duke vëzhguar faqen e Bashkisë Shkodër, rezulton madje që nuk ka informacion të tillë as për kryetaren e Bashkisë Shkodër!
Në lidhje me detyrimin për informacion për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitet e kaluara, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit, informacioni në lidhje me tarifat e taksave dhe të liçensave nuk është rifreskuar dhe i përket vitit 2014.
Në lidhje me percaktimet e gërmës ë, pika 1 të nenit 7 të ligjit ku duhet të jepet informacion mbi procedurat e prokurimit apo procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik-privat, nga monitorimi në faqen zyrtare të Bashkisë një informacion i tillë nuk gjendet.
*) Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian
Redaksia Online
(A.N/m.b/Shqiptarja.com)