TIRANE - Bashkia e Tiranës, edhe pse për pak ditë përfundon vitin shkollor, nuk ka shpërblyer ende nxënësit e 10-ës. Bëhet fjalë për nxënësit që kanë përfunduar vitin e kaluar shkollor me rezultate të shkëlqyera në qytetin e Tiranës.

Sipas ligjit, nxënësit me rezultate të shkëlqyera nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë shpërblehen me tre mijë lekë të reja, ndërsa nxënësit që ndjekin shkollën e mesme, nga viti i parë deri në vitin e tretë, shpërblehen me pesë mijë lekë të reja.

Ndërsa në shkollat e mesme të Tiranës nxënësit e shkëlqyer janë njoftuar që të çojnë në shkolla dosjet e tyre. Dosja duhet të përmbajë, dëftesën e notave të noterizuar (me të gjitha 10-ta), certifikatë personale (mundësisht me fotografi) ose fotokopje të mjetit të identifikimit në këtë rast e noterizuar.

Vërtetim nga shkolla që vazhdon klasën pasardhëse. Vërtetimin si banor lagjeje. Nga ky rregull nuk përfitojnë shpërblimin nxënësit që janë aktualisht në shkolla private edhe pse vitin e kaluar kanë qenë në shkolla publike. Gjithashtu edhe nxënësit që nuk kanë pasaportizimin në Tiranë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)