Bashkia e Tiranës dhe 'Raiffeisen Bank' marrëveshje për shërbime shtesë në kartën e studentit

Bashkia e Tiranës dhe 'Raiffeisen Bank' marrëveshje për shërbime shtesë në kartën e studentit

Shtohet gama e shërbimeve dhe produkteve që studentët e pajisur me kartën studentore do të përfitojnë falas apo me tarifa të reduktuara. Krahas shërbimeve në institucionet publike dhe private, si kinema, teatro, muzeume, dyqane të ndryshme kancelarish etj, studentët do kenë mundësi që edhe shërbimet në banka t’i marrin me tarifa zero ose me tarifa të reduktuara ndjeshëm. Bashkia e Tiranës dhe “Raiffeisen Bank” nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi nëpërmjet së cilës i jepet mundësia të rinjve që kanë një kartë studenti të marrin shërbime pa komisione ose me tarifa të favorshme në gjithë rrjetin e kësaj banke.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi “Raiffeisen” për gatishmërinë që ka treguar për të bashkëpunuar që në momentet e para të emetimit të kartës së studentit, ndërsa theksoi se shërbimet që ofrohen nga kjo bankë do jenë të vlefshme edhe në rrjetin e saj jashtë vendit.

“Do të ofrohen shërbime me tarifa zero për hapjen e llogarive rrjedhëse, për të marrë një kartë debiti etj. Unë besoj se për të gjithë studentët që kanë shuma të vogla dhe ku përqindjet e bankave hanë pak nga ajo shumë e vogël që një student menaxhon në tarifat e veta mujore, kjo ulje dhe zerimi i këtyre tarifave nga “Raiffeisen” është jo vetëm një gjest bujar, por një ndihmë e jashtëzakonshme, sidomos për prindërit që dërgojnë të ardhura, por edhe për studentë që nesër me një kartë Raiffeiseni do të udhëtojnë si studentë të Erasmus dhe logon e famshme të zezë me të verdhë të “Raiffeisen” do ta shohin në shumicën e kryeqyteteve të Evropës”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se qëllimi i kësaj marrëveshje është që t’i pajisë studentët me kulturën e nevojshme të mënyrës se si funksionon sistemi bankar, si dhe të nxisë ekonominë formale nëpërmjet bankave. “Mezi pres që studentët përveç se të fitojnë përqindjet e uljeve, të marrin edhe kulturën e të bërit biznes dhe të bërit të një llogarie, e të mbajturit të një bilanci, e të kuptuarit se si funksionon sistemi bankar, si funksionojnë përqindjet, si funksionon bursa, si nesër pastaj nga klientë-studentë mund të jenë klientë - familjarë të rinj për të marrë një kredi të butë që prapë e bëjmë me “Raiffeisen” dhe kemi ndihmuar qindra familje të reja, post-universitare, kur kanë filluar një punë dhe krijuar një familje për të marrë shtëpinë e tyre të parë”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës vijon të përmbushë detyrimet që lindin nga Pakti me Universitetin, si sa i përket prodhimit të Kartës së Studentit, ashtu edhe me rikonstruksionin e konvikteve. “Unë e kuptoj që në çdo përpjekje për të bërë mirë ka edhe një dozë populizmi, ka njerëz që thonë: Karta e Studentit s’më jep për shtëpi më të lirë. Shtëpitë më të lira për studentët quhen konvikte, që tashmë janë të subvencionuara nga Bashkia dhe janë me çmim më të ulët për ata që duan një shërbim strehimi më të lirë, kurse për të gjithë shërbimet e tjera është karta studentore e cila ofron ulje të jashtëzakonshme dhe falë “Raiffeisen” sot fuqizohet në një mënyrë të paimagjinueshme”, tha Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, Christian Canacaris vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës ndërsa theksoi se marrëveshja i shërben gjeneratës së ardhshme. “Në këtë kartë do kenë ulje në organizata të ndryshme, do kenë një paketë falas në bankën tonë, për të mësuar sesi funksionon një bankë. Unë e di që gjenerata e re nuk është si ne, ata nuk duan të shkojnë nëpër degët e bankave, kështu që do të kenë më pak kontakte me sportelin, pasi do të përdorin byzylykët, telefonat dhe gjithçka që ofrojmë për aplikimet digjitale. Ne jemi shumë krenarë si Raiffeisen për bashkëpunimin me bashkinë, kemi bërë një sërë projektesh dhe do vijojmë të bëjmë edhe shumë projekte të tjera në të ardhmen”, tha Christian Canacaris.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë