BORXHET
Pas një debati prej më shumë se dy orësh anëtarët kanë rënë dakord që ky buxhet të miratohet, por duke u plotësuar një sërë ndryshimesh dhe “kushtesh”. Ndryshimet kanë të bëjnë pikërisht me parashikimin e një fondi i cili të përdoret për shlyerjen e borxheve ndaj individëve apo subjekteve, borxh i mbartur prej vitesh. Një tjetër kërkesë ka qenë ajo e anëtarit të LSI-së, Viron Bezhani i cili ka kërkuar shlyerjen e pagesave të prapambetura për trajnerët e sport klub “Tirana”, të cilët nuk kanë marrë pagën e 30 mijë lekëve në muaj. Ndërkohë që pika e tretë e kërkuar nga anëtarët e partisë Socialiste ka qenë ajo e rishikimit të projekteve dhe investimeve, pasi në disa prej tyre ka një shtrirje kohore shumë të gjatë.
SHPRONËSIMET
Një tjetër pikë e debatit ka qenë edhe ajo e shpronësimit të qytetarëve të cilët preken nga projekti i Bulevardit të Tiranës. Sipas nënkryetarit të Bashkisë, Eno Bozdo në projektin aktual është parashikuar një fond i cili do të shkojë në xhepat e tyre. “Ne kemi parashikuar në buxhet 4.5 milion dollarë, të cilat do të shkojnë për shpronësimin. Sa i përket çmimit të shpronësimit atë nuk e kemi vendosur ne por qeveria me anë të një VKM, nëse ju nuk jeni dakord me këtë çmim atëherë qeveria të marrë një tjetër vendim ku të parashikojë çmimet e reja dhe ne më pas të bëjmë edhe shlyerjen e detyrimeve” ka pohuar Bozdo.
Ndërkaq Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, tha se problemi i bulevardit me porosi të qeverisë i është deleguar Prefektit dhe shpronësimet do të shikohen me prioritet prej tij. Sa i përket pagesave të prapambetura nënkryetari Bozdo ka shpjeguar se këtë vit është parashikuar një fond prej 50 milion lekësh për kthimin e borxheve ndaj subjekteve apo individëve.
BUXHETI
Buxheti i paraqitur nga Bashkia e Tiranës, u shty në muajin dhjetor 2013 për t’u sjellë në përputhje me paketën fiskale si dhe të kishte më shumë transparencë në lidhje me shifrat. Por kjo për nënkryetarin Bozdo është bërë e mundur vetëm në fund të janarit për shkak të mbledhjes së të ardhurave fiskale. “U tha këtu për të disatën herë se Bashkia e Tiranës nuk ka treguar transparencë për të ardhurat. Dua t’ju shpjegoj se transparenca për të ardhurat është kërkuar për herë të parë në dhjetor 2013, kur na kërkohej me ngulm të madh të bënim “resumenë” e të gjithë vitit 2013.
Përgjigja ime në atë kohë praktikisht ka qenë “është e pamundur sepse vetëm në fund të janarit 2013, për arsye të mënyrës së të mbledhurit të të ardhurave fiskale ne mund të sjellim një planifikim e pastaj të sjellim faktin dhe kjo ka ndodhur” ka pohuar Bozdo. Nënkryetari i Bashkisë sqaroi se në këtë buxhet përfshihen edhe projekte rrugësh për të cilat nuk ka fonde për tu realizuar por që do të lihen në pritje të investitorëve. Vlera e buxhetit për vitin 2014 është 8.6 miliard lekë.
RRITEN PAGESAT PËR KOPSHTE E ÇERDHE
Këshilli Bashkiak miratoi rritjen e tarifës për kopshtet dhe çerdhet. Sipas vendimit të hartuar nga Bashkia e Tiranës kjo tarifë të rritet me 12 për qind për çerdhet dhe me 13 për qind për kopshtet. Përkatësisht tarifa për kopshtet nga 160 lekë në ditë do të jetë 180 lekë në ditë. Ndërkohë që tarifa për çerdhet ishte 130 lekë në ditë dhe u bë 145 lekë në ditë. Ekspertët e Bashkisë e kanë shoqëruar këtë ndryshim të tarifës së ushqimit me rritjen e kostos së ushqimit, por edhe me situatën financiare të vetë familjeve. Sipas tyre, prindërit dhe familjet në përgjithësi janë në gjëndje të mirë financiare. Tarifa aktuale aplikohet që nga viti 2008.
DEBATE PËR EMËRTESAT E RRUGËVE TË TIRANËS
Mbledhja e Këshillit Bashkiak gjatë ditës së djeshme ka nisi me debate pikërisht me vendosjen e emrit “Dëshmorët e 4 shkurtit” në një prej rrugët e Tiranës. Propozimi erdhi nga këshilltarët e LSI-së.
Shezai Rrokaj theksoi se ka kaluar një vit dhe nuk ka asnjë rrugë me këtë emër. Ndërkohë Aldrin Dalipi kërkoi që të mblidhet administrata, të raportojë dhe më pas të votohet në Këshill.Nga ana e tij, Këshilltari Ferdinand Poni kërkoi që të vlerësohen përpjekjet e popullit për liri. Ai theksoi se vendimi për vendosjen e emrit “Ibrahim Rugova” të njërës prej rrugëve ishte i drejtë.
Shkrimi u publikua sot (27.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)