Lezhë, për vitin 2026 taksa e ndikimit në infrastrukturë do të rritet. Vetë bashkia thotë se nga 0.1% që është aktualisht, vitin e ardhshëm do ta çojë në 3%.

Lajmi u bë i ditur nga vetë kreu i bashkisë, Pjerin Ndreu, gjatë prezantimit të paketës fiskale vendore për vitin e ardhshëm, duke argumentuar këtë rritje për shkak të ndotjes që shkaktojnë subjektet në fushën e ndërtimit dhe jo vetëm.


“Janë disa investime që po bëhen. Të marrim shembull ndërtimin e parkut të energjisë eolike në zonën e Fishtës. Çfarë të bëjmë, t’i marrim këtij subjekti 0.1%, apo disa subjekteve të tjera, si ato të tregtimit të produkteve shtazore që nuk u disiplinuan kurrë, pa përmendur më tej servisët, që nuk pastrojnë as oborret e tyre”, tha Ndreu. 


Bizneset që preken gjithashtu nga rritja e tarifes vendore janë ato të prodhimit dhe tregtisë së produkteve me origjinë shtazore, artikujve ushqimore, materialeve të ndërtimit, tregti makinash, servise e pjesë këmbimi, tregti pemësh e përpunimi materialesh druri si dhe lokalet e dasmave. Po ashtu nga rritja e taksave do të preken edhe kompanitë e internetit të cilët shfrytëzojnë infrastrukturen nëntokësore në territorin e Bashkisë Lezhë.