Vetëm disa ditë pasi Bashkia e Lushnjës zgjidhi kontratën me kompaninë “REJ” për pastrimin e qytetit, ka nisur një serial zjarrvëniesh nëpër kontejnerë.
Rasti më i fundit, mbrëmjen e së mërkurës në lagjen “18 tetori” ku flaka përpos plehrave përfshiu dhe kabinën elektrike duke lënë terr gjysmën e qytetit. Për bashkinë e Lushnjes, zjarri është i qëllimshëm, ndaj kërkon nga policia të gjejë autorët.
“Është marrë masa për fikjen në kohë nga zjarrfikësja gjithashtu kemi bërë denoncimin e rastit sepse janë disa raste të përsëritura për zjarrvënie të qëllimshme, nga ana jonë për të gjetur autorët që po shkaktojnë këto zjarrvënie, që po dëmtojmë pasurinë publike”, tha Elton Korreshi.
Në konferencë për mediat, n/kryetari i bashkisë njoftoi se prej datës 7 shkurt pastrimi i qytetit bëhet nga ndërmarrja shtetërore me makina borxh në bashkive fqinje.
“Këshilli Bashkiak ka marrë vendimin që shërbimi të kalojë në shtet. Nga kompani private në ndërmarrje shtetërore. Aktualisht është krijuar brigada e pastrimit. Po bashkëpunojnë për makineri me bashkitë Roskovec e Divjakë për makinat e pastrimit. Ne jemi në proces për të blerë dy automjete pastrimi ekologjike dhe marrjen e dy të tjerave me qira”, tha ai.
Pa dhënë shumë detaje, ai tha se kompanisë “Rej” me pronar Luan Kaprin, i ka përfunduar kontrata një vjeçare për pastrimin e qytetit.
“Ndarja me kompaninë pas një marrëdhënie 1-vjeçare shumë të mirë, kemi dakordësuar që të mbyllim kontratën në mënyrë të drejtë dhe më pas shërbimi të kalojë në shtet. Ka qenë premtim i kryetares për të shtetëzuar gjelbërimin dhe pastrimin”, vijoi ai.
Policia ende nuk ka njoftim për zjarrvëniet e qëllimshme nëpër kontejnerët e Lushnjes dhe nuk dihet nëse episodet kanë lidhje me shtetëzimin e ndërmarrjes së pastrimit.