TIRANE - Deri para pak javësh, një bunker në qoshe të Kryesisë së Kuvendit, aty ku ndodhet busti i Ismal Qemalit, kujtonte më së miri afro 50 vjet diktaturë të egër. Ndërsa sot, në vend të tij, një memorial, do të kujtojë të njëjtën periudhë, por në një aspekt tjetër.

Bunkeri që dikur mund të “mbronte me zjarr” hyrjen e Komitetit Qendror, pranë lulishtes së “Vila 30”, është hequr. Disa dërrasa e llamarina kanë rrethuar zonën e pikërisht, aty ka nisur të ndërtohet një memorial që do të përkujtojë të burgosurit e “viteve të bunkerit”.

Por, duket se, memoriali që do të marrë emrin “POSTBLLOK”, ka nisur të ndërtohet pa asnjë leje. Ndërsa vendimi për këtë memorial do të diskutohet  të enjten. Ervin Bushati këshilltar i majtë në Bashkinë e Tiranës, njëkohësisht edhe kryetar i komisionit të këshillimeve publike denoncuar ketë fakt.

Ai në një prononcim për “Shqiptarja.com” është shprehur se puna për memorialin nuk ka kaluar në asnjë etapë. “Puna për këtë memorial nuk ka kaluar as në komision ekonomik, as nuk është miratuar nga këshilli bashkiak.

Sepse për të filluar një punë duhet të kalojnë njëherë në këshillin bashkiak për miratim, duhet të diskutohet në komision ekonomik, duhet të bëhet preventivi, pas bërjes së preventivit duhet të bëhet tenderimi. Dhe pas tenderimit hapen fondet dhe fillon puna. Kurse aty ka filluar puna pa kaluar në këto etapa” u shpreh Bushati.

Më tej këshilltari i bashkisë ka thënë se me çështje e memorialit po behët një pazar i madh “Kjo puna që po behët ka një vlerë monetare, aty ka filluar puna pa u bërë tenderi, firma që ka filluar punë aty e di që do fitojë tenderin. Këtu po bëhet një pazar i madh , është një korrupsion i madh.

Se si mund ta fillojë punë një njëri nëqoftëse e di që nuk do e fitojë tenderin. Punën aty e ka filluar një firmë dhe ku e di kjo që nesër do fitojë tenderin, ku e di që do miratohet ky si fond, ku e di që do miratohet ky si projekt” thotë Bushati.

Eksperti i çështjeve ekonomike në PS, u shpreh se e gjithë kjo behët për çështje elektorale Në punën që ka filluar për ngritjen e këtij memoriali, nuk është vendosur asnjë tabelë informuese, madje as se cila firmë e ka marrë këtë punë për ta bërë.

Ndërsa vlera financiare e këtij memoriali ende nuk dihet. Ndërtimi i memorialit “PostBllok” nuk ka qenë në buxhetin e vitit 2013, por u ka ardhur si ide vetëm këto ditët e fundit është shprehur Ervin Bushati.

Sipas projektvendimit të bashkisë memorial për simbolet e diktaturës “POSTBLLOK’” do të ngrihet në lulishten që ndodhet në kryqëzimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”, përballë hotel “Rogner”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)