ELBASAN- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka inspektuar punimet për rehabilitimin e disa segmenteve rrugore në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”. I shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, Balla bëri me dije se Bashkia po bëhet gati për të nisur projektin i cili synon të rikonstrukturojë sheshet e çdo pallati.
Nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, Balla shkruan se Bashkia nuk do të bëjë pushime verore pasi janë shumë kantiere ndërtimi të hapura të cilat kërkojnë vëmendje maksimale.
“As këtë vit Bashkia e Elbasanit nuk do të bëjë pushime sepse janë me dhjetëra kantiere ndërtimi dhe shërbime publike që kanë nevojë për kontroll dhe vëmendje. Së bashku me Gledin inspektuam punimet për asfaltimin e disa segmenteve rrugore në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese” ku po punohet intensivisht pasi lagjet e qytetit kanë nevojë të shtuar për ndërhyrje. Bashkia e Elbasanit po bëhet gati të nisë edhe projektin e madh që përfshin rikualifikimin urban të shesheve të pallateve në çdo lagje. Por nuk duhet harruar se jashtë vëmendjes nuk janë as fshatrat”, shkruan Balla.