Bashkia: Projektet tona përmirësojnë
cilësinë e ajrit, Rama t’i lejojë

Bashkia: Projektet tona përmirësojnë<br />cilësinë e ajrit, Rama t’i lejojë
TIRANË - Përmes një deklarate për mediat drejtori për politikat mjedisore në bashkinë e Tiranës ka kërkuar nga ana e kryeministrit rama që të zhbllokojë investimet të këtij institucioni. Sipas tij investimet strategjike e bashkisë së Tiranës do të ndryshonin në mënyrë drastike ndotjen në Kryeqytet.

Më tej Romeo Hanxhari ka shtuar se vetëm me dy projekte, ai i tramit dhe ai i terminalit multimodal  do t’i kursente qytetit të Tiranës çdo ditë 9 ton dioksid karboni. Ndërkohë ai thekson se realizimi i këtyre dy projekteve nuk do t’i kushtojë asnjë lek taksapaguesve shqiptarë.
 
Drejtori i Politikave Mjedisore në Bashkinë e Tiranës ka përmendur edhe disa projekte të tjera si rehabilitimi i lumit të lanës dhe ndërtimin e  Unazës së Re.

Gjithashtu, ai i bën thirrje autoriteteve përkatëse dhe Prokurorisë të marrin masa dhe të nisin hetime të menjëhershme për personat që kanë futur dhe lejuar të fusin në treg karburant jashtë çdo lloj standardi, duke u bërë kështu ndotësi kryesorë i ajrit.

Fjala e plotë e Drejtorit të Politikave Mjedisore në Bashkinë e Tiranës Romeo Hanxhari
“Bashkia e Tiranës i bën sot thirrje edhe njëherë Kryeministrit të vendit të ndihet mbi interesat e vogla politike, e të zhbllokojë investimet strategjike të bashkisë së Tiranës, të cilat do të ndryshonin në mënyrë drastike ndotjen në Tiranë.

Nga njëra anë, vetë qeveria konstatoi dje se trafiku është një nga ndotësit kryesorë të ajrit në Tiranë dhe nga ana tjetër, po vetë qeveria e bllokon zgjidhjen e problemit.

Projekti i Bashkisë për kalimin nga transporti mbi goma tek transporti mbi shina, nëpërmjet tramit Kinostudio-Kombinat do t’i kursente çdo ditë qytetit të Tiranës 3 ton dioksid karboni.

Ndërtimi i terminalit multimodal, realizimi i të cilit pret vetëm vendimin që lejon Bashkinë të nisë procedurat e koncesionit, do t’i kursej çdo ditë qytetit të Tiranës 6 ton dioksid karboni.

Pra, vetëm me këto dy projekte realizimi i të cilave nuk do t’i kushtojë asnjë lek taksapaguesve shqiptarë i kursejnë qytetit çdo ditë 9 ton dioksid karboni.
Një tjetër investim i bllokuar nga kryeministri, i cili do të ndikonte ndjeshëm në reduktimin e ndotjes, përmes krijimit të një arterie të re për qarkullimin e mjeteve dhe shtimit të hapësirave të gjelbra është dhe bulevardi i ri i Tiranës.
Po kështu, rehabilitimi i Lanës dhe ndërtimi i rrugëve paralele nga Materniteti i Ri deri te Fresku dhe  ndërtimi i Unazës së Re nga Qyteti i Nxënësve tek Qendra Kristal, që  janë bllokuar nga kryeministri do të lironin trafikun e rënduar të Tiranës dhe do t’i kursenin mijëra ton blozë në vit mushkërive të kryeqytetasve.

Përmirësimi rrënjësor që këto investime do t’i bënin cilësisë së ajrit në kryeqytet është një tjetër arsye madhore pse kryeministri Edi Rama, duhet të ngrihet mbi interesat e tij politike dhe t’u shërbejë interesave të qytetarëve dhe  të zhbllokojë zbatimin e këtyre projekteve jetikë për Tiranën dhe qytetarët e saj.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse dhe Prokurorisë të marrin masa dhe të nisin hetime të menjëhershme për personat që kanë futur dhe lejuar të fusin në treg karburant jashtë çdo lloj standardi, duke u bërë kështu ndotësi kryesorë i ajrit.

Qeveria, si përgjegjësi kryesor i kontrollit të cilësisë duhet të marrë masa të menjëhershme për të nxjerrë nga tregu këto karburante.

Dua gjithashtu t’ju bëj me dije se vlerën përfaqësuese për qytetet në Europë e masin jo “stacionet e trafikut” por stacionet e “backgroundit urban”. Këto vlera Ministria e Mjedisit nuk i thotë dot për 2014-ën për Tiranën sepse Ministria e Shëndetësisë i ka nxjerrë jashtë funksionit stacionet e “backgroundit urban” të Tiranës, që prej muajit dhjetor 2013. Të dhënat e atyre stacioneve të operuara nga ISHP, transmetoheshin online tek kompania Austriake “Lieneweber GmbH”, e certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe përpunoheshin prej saj.

Ato të dhëna dëshmojnë se përqendrimi i ndotjes në zonë “backgroundi urban” të Tiranës, kishte arritur të futej brenda normës së BE-së që prej vitit 2012 dhe ulej vazhdimisht, siç pasqyrohet në të gjitha raportet e ISHP-së, i fundit prej të cilëve është i muajit shkurt 2014.

I bëjmë edhe një herë thirrje qeverisë, t’i hapë rrugë investimeve të Bashkisë që do të çonin në reduktimin e trafikut dhe ndotjes, dhe të marrë masa të menjëhershme ndaj personave përgjegjës që kanë lejuar të futen në treg karburante jashtë çdo standardi”


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Skandali/ Tifozët e Çekisë përdhosin simbolet e Shqipërisë, kore raciste dhe shpalosin flamurin serb! Reagon FSHF: Akte të turpshme! Do ankohemi në UEFA

Skandali/ Tifozët e Çekisë përdhosin simbolet e Shqipërisë, kore raciste dhe shpalosin flamurin serb! Reagon FSHF: Akte të turpshme! Do ankohemi në UEFA