“Kemi 200 princër dhe princesha në këtë kopësht, që do të thotë se kemi kthyer besimin tek institucionet publike. Bashkia menaxhon kopshtet e çerdhet ndonjëherë shumë më mirë se sa edhe privatët, nga cilësia e shërbimit e edukatoreve tona, nga stafi i përkushtuar, cilësia e ushqimit, por më në fund edhe nga cilësia e infrastrukturës”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se më parë, i vetmi avantazh që kishin kopshtet private, ishin ndërtesat më komode. “Me punën që kemi bërë me çerdhet dhe me riparimin që po i bëjmë të 23 kopshteve, besoj se kemi krijuar disa streha ideale për të gjithë princeshat e princërit tanë, e të gjithë futbollistët e ardhshëm, shefat e mëdhenj”, theksoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi të gjithë stafin e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve për punën e bërë edhe gjatë muajit gusht duke punuar. “Për herë të parë anuluam mbylljen e kopshteve në muajin gusht, sepse mendojmë që ka disa familje që ndoshta nuk i kanë mundësitë ose nuk janë larguar me pushime, kjo do të thotë që edhe kopshtet duhet të përgjigjen”, tha Veliaj. Ai sqaroi se ka pasur një alternim të stafit në ato raste ku kishte reduktim të paraqitjes së fëmijëve në kopshte.
“Siç është motoja jonë, e një bashkie që është 24 orë në 7 ditë të javës në detyrë, ashtu edhe kopshtet e çerdhet tona janë në këtë lartësi. Shpresoj që duke pasur një kopësht të mirë dhe shkolla të mira, do të kemi një Tiranë shumë më të mirë, kur ju të gjithë të jeni rritur dhe të bëni gjërat e duhura”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për rikonstruksionin e plotë të këtij kopshti. “Më vjen mirë që përveç gjithë kompanive, ka ndihmuar edhe komuniteti, dikush me mundësitë modeste që ka pasur, dikush me perde, dikush me disa mobilje, por unë them se kemi bërë një punë fantastike në këtë kopësht”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Drejtoresha e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Zhaneta Beqiri tha se gjatë këtij viti në kopshtet e çerdhet e Tiranës nuk ka ndryshuar vetëm infrastruktura, por edhe mentaliteti i stafeve. Në kopshtin nr. 51 është ndërhyrë që nga rrjeti elektrik dhe ai hidraulik, dhe më pas te ndryshimi i të gjitha pajisjeve hidro-sanitare. I gjithë ambienti është lyer, është shtruar me pllakat e nevojshme dhe shumë ndryshime të tjera të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë për fëmijët.
Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)