Bashkia e Tiranës ka vetëm një javë kohë për të përgatitur listën përfundimtare të familjeve që duhet të marrin banesa sociale. Kjo për shkak se Këshilli Bashkiak nuk mund të mblidhet pas datës 21 maj (një muaj para zgjedhjeve), sipas ligjit për pushtetin vendor. Kjo e detyron bashkinë që brenda javës së ardhshme të përzgjedhë familjet të cilat plotësojnë kriteret për banesa sociale dhe listën t’ja paraqesë Këshillit Bashkiak jo më vonë se data 20 maj. E gjithë kjo shtyrje nga ana e Bashkisë së Tiranës, rrezikon që të “djegë”, dokumentat e qindra familjeve.

Ligji për pushtetin vendor parashikon se një certifikatë nuk është e vlefshme nëse i ka kaluar afati i 3 muajve dhe institucioni përkatës “vendor ose qëndoror”, duhet ti kërkojë aplikuesit që të dorëzojë një çertifikatë tjetër. Kjo do të thotë se nëse Bashkia e Tiranës nuk miraton listën përfundimtare të familjeve që do të marrin banesa sociale, 1100 aplikuesit e tjerë duhet të rifreskojnë dokumentat pas zgjedhjeve të 21 qershorit, ku do të zgjidhet dhe kryetrai i ri i bashkisë. E gjithë kjo zgjatja e procedura duket se do të ndikojë të familjet në nevojë, të cilat pak ditë më parë zhvilluan dhe një protestë para bashkisë. Protestuesit i kërkuan bashkisë që të kalojë për miratim listat e përfituesve pasi kanë rreth 1 vit që po presin.

Gazeta kontaktoi me përfaqësues të Bashkisë së Tiranës të cilët thanë se është Këshilli Bashkiak ai që ka bllokuar banesat sociale dhe jo bashkia. “Ne kemi çuar për miratim listën e 178 përfituesve të parë, këshilltarët e majtë nuk pranuan të miratonin listën dhe familjet nuk arritën të merrnin banesat, për të cilat ata plotësonin kriteret”, - thanë zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.

Çfarë ndodhi në Këshillin Bashkiak? Këshilltarët e majtë akuzuan administratën e bashkisë së nuk kishte përfshirë të gjitha familjet që përfitonin banesë sociale, madje paraqitën raste konkrete të disa invalidëve që kishin ngelur jashtë listës. Kjo bëri që këshilltarët e PS dhe LSI të shtynin listën paraprake të familjeve që përfitonin banesë sociale dhe i kërkuan bashkisë që të plotësonte listën brenda një afati 1-mujor. Kur ka kaluar më shumë se dy muaj, ende administrata e bashkisë nuk ka përzgjedhur listën e 385 përfituesve, kur numri i aplikuesve është mbi 1100. Lidhur me plotësimin e listës së 385 familjeve Bashkia e Tiranës thotë se nuk mund të plotësohet lista e plotë, pasi jo të gjitha familjet përmbushin kriteret.
 
Dokumentat që dorëzohen për të përfituar nga programi
 
Çertifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992, certifikatë aktuale të përbërjes familjare dhe certifikatë lindjeje personale të aplikuesit. Vërtetim nga Zyra e Tatim Taksave nëse është, ose jo subjekt i taksës së vlerës së shtuar, për të gjithë anëtarët e familjes. Vendim nga Komisioni Mjekësor për personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen sipas pikës d, neni 5 i ligjit nr. 9232, datë 13.05.2004. Vërtetim të statusit të jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status.



(v.gj/shqiptarja.com)

Lajmi u publikua sot(10.05.2015) në gazetën Shqiptarja.com(print)