Bashkia vendos të prishë shkollën
nëntë vjeçare “Hoxha Tahsim”

Bashkia vendos të prishë shkollën<br />nëntë vjeçare “Hoxha Tahsim”
TIRANE - Rreth 400 nxënësit e shkollës “Hoxha Tahsim”, që ndodhet afër ministrisë së Jashtme, këtë shtator duket se nuk do të kenë një bankë ku të ulen. Kjo pasi bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për prishjen e shkollës së tyre. Në buletinin e datës 3 qershor 2013, të Agjencisë së Prokurimit Publik, bashkia e Tiranës ka njoftuar se hap procedurat për “Ndërtim shkollë e Mesme, rruga “Hoxha Tahsim”, faza I, me fond 158.737.797 milionë lekë”.

Ndërkohë që po sipas këtij njoftimi të bashkisë, afati i përfundimit të punimeve është 12 muaj kalendarike nga data e lidhjes së kontratës, ndërsa data e zhvillimit të tenderit është 21 qershori i këtij viti. Por vetë mësuesit dhe prindërit kanë mbetur të habitur nga ky fakt. Gjatë ditës së djeshme, ne vizituam këtë shkollë dhe stafi pedagogjik na konfirmon se ata nuk janë në dijeni të këtij fakti, madje nuk e fshehin habinë. “Kjo është e tmerrshme.

Ne na kanë premtuar që nuk do ta prishin, madje kemi edhe një letërkëmbim me drejtoreshën e arsimit, e cila na ka garantuar se viti akademik 2013-2014 do të vazhdojë rregullisht si dhe do të hapen edhe regjistrimet për klasat e para, të cilat kanë tre vite që janë mbyllur në këtë shkollë. Kushedi ku do të na shpërndakan”, - na thonë mësuesit e kësaj shkolle. Edhe drejtori i sapoemëruar i “Hoxha Tahsim”, Sabri Terpollari, konfirmon të njëjtën gjë. “Ne nuk na ka lajmëruar askush. Madje na kanë garantuar se shkolla nuk do të mbyllet”, - na thotë ai.

Ndërkohë Ardian Margjini, kryetar i bordit të prindërve në këtë shkollë, na tregon shkresën që u ka dërguar drejtoria Arsimore. “Ka kohë që përflitet për një gjë të tillë dhe ne pikërisht për këtë arsye, kemi zhvilluar një takim me drejtoreshën e Arsimit, Arjana Bekteshi. Gjatë këtij takimi, i cili është zhvilluar me datë 5 maj 2013, ajo jo vetëm na ka garantuar që shkolla nuk do të preket, por na ka kthyer edhe përgjigje me shkrim ku deklaron se viti shkollor 2013-2014 do të zhvillohet normalisht. Nëse bashkia ka hapur tender, atëherë ne do të reagojmë dhe nuk do të rrimë duarkryq, pasi nuk duam që të preket shkolla e fëmijëve tanë”, - na thotë ai.

Më tej ai shpjegon se nuk qëndron as pretendimi i bashkisë se shkolla e re që do të ndërtohet do të zgjidhë nevojat e gjimnazit “Ismail Qemali”. “Kemi dëgjuar që kjo do të jetë një aneks i gjimnazit “Ismail Qemali”. Po pse kështu zgjidhen gjërat? Në dëm të fëmijëve tanë? Na kanë thënë që do t’i çojnë te shkolla “E kuqe”. Sigurisht që nuk do t’i lënë në një klasë, do të ndërrojnë ambient, mësues, etj, ndërkohë që ata kanë që në klasën e parë që janë këtu. Nëse duan të rregullojnë një gjë, ajo nuk bëhet në kurriz të të tjerëve, për më tepër që unë se kuptoj se si do të funksionojë ky aneks i “Ismail Qemalit”.

Bashkia është treguar e padrejtë dhe ka zgjedhur një moment të papërshtatshëm për ne për hapjen e tenderit, pasi tani nisin pushimet verore, por ne nuk do të rrimë dyarkryq”, - na thotë ai. Kjo shkollë ishte vënë në listën e zezë edhe dy vite më parë, me pretendimin se ka pak nxënës, ndërkohë që gjimnazi “Ismail Qemali” që ndodhet afër saj, është i mbipopulluar, por prindërit reaguan ashpër, ndaj edhe ministria e Arsimit u tërhoq nga plani për prishjen e saj. Në fakt kjo shkollë i është nënshtruar një rikonstruksioni total gati 10 vite më parë, dhe si pasojë iu larguan edhe një pjesë e mirë e nxënësve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print0 11.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

E konfirmojnë në Kosovë, Ilir Daja largohet nga FC Ballkani! Gati rikthimi te Dinamo në Superligë

E konfirmojnë në Kosovë, Ilir Daja largohet nga FC Ballkani! Gati rikthimi te Dinamo në Superligë