Bashkim Shehu e Fahri Balliu
reportazh  për “mrekullitë” e Enverit

Bashkim Shehu e Fahri Balliu<br />reportazh  për “mrekullitë” e Enverit
Në vitin 1978, Bashkim Shehu atë kohë 23-vjeçar, dhe Fahri Balliu 22-vjeçar, studentë në vitin e fundit të studimeve, rendin drejt Librazhdit, një qytet sipas tyre në kulmin e zhvillimit. Qëllimi i vizitës së tyre është t’i thurin lavde punës së madhe të Partisë për ta shndërruar Librazhdin në një qytet plot shkëlqim…
Ky reportazh, bajat, ku sundon zelli për ti kënduar bëmave të Partisë dhe Enver Hoxhës, që zor se mund të lexohet deri në fund sot, edhe për ata që kanë kërshëri të tepruar, është shkëputur nga koleksioni i revistës “Nëntori”, saktësisht “Nëntori 5” i majit 1978.

Se në ç’pozita politike kanë qenë të dy këta autorë në këtë periudhë të botimit, shumëkush e kujton. Po ashtu e kujtojnë edhe rrugën e mëtejshme të të dyve. Djali i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, pas vdekjes së të atit përjetoi burg, përndjekje e internime, e më tej emigroi në Spanjë ku jeton edhe sot, ndërsa Fahri Balliu vijoi karrierën si gazetar i “Zërit të popullit” e menjëherë pas ndërrimit të sistemit u rendit në rradhët e PD, shumë i afër me kryetarin Berisha. 
Reportazhi i tyre s’ka nevojë për shumë koment. Lexuesit mund të shquajnë lehtësisht ndër rreshtat e tij frymën e theksuar të politizimit të kohës dhe të zellit në shërbim të sistemit. 

Bashkim Shehu Fahri Balliu, Qyteti mbi dy lumenj
Sipas një legjende që bën fjalë për epokën e Skënderbeut, një kovaç në një nga fshatrat e largëta të malësisë së Librazhdit, kishte farkëtuar një parmendë të artë. Me këtë parmendë të artë njerëzit lëronin tokat e gjithë krahinës. Ajo ishte një vegël që lidhej me sigurimin e punës, në një kohë aq të vështirë e tragjike, kur populli shqiptar përballonte invazionin e hordhive pafund të Perandorisë Otomane (“Bukë dhe liri”! – ka qenë prej shekujsh aspiratë e këtij populli, që u shndërrua në kushtrim, në britmë lufte kundër armiqve të shumtë e të egër, që synonin të na shkelnin trojet). Po sipas legjendës për parmendën e artë flitej aso kohe në çdo skaj të dheut të Arbrit, kudo mbaheshin në gojë vetitë e mira të saj në punimin e tokës. Thuhej, gjithashtu, se dhe vetë Skënderbeu shkonte herë pas here e lëronte me atë parmendë…

Mbas njëzetë e pesë vjetëve lufte vetëmohuese, mbasi ranë njëra pas tjetrës të gjitha kështjellat kryesore të Shqipërisë, banorët e malësive të Librazhdit vazhdonin akoma rezistencën, nën udhëheqjen e prijësit të tyre, Gjorg Golemit, një nga trimat ndër bashkëluftëtarët e Skënderbeut. Këto anë qenë të fundit që u shkelën nga këmba e pushtuesit… Kur erdhën hordhitë osmane, Golomara, ose Mara Golemi e shoqja e prijësit trimi, e fshehu parmendën e artë nën sofër, duke e mbuluar shpejt e shpejt me dhe në mënyrë që të mos binte në dorë pushtuesve. Kështu parmenda e artë mbeti e fshehur nën tokë, për shekuj e shekuj me radhë. Me kalimin e kohës, shtresat e dheut binin mbi të, njëra sipër tjetrës e parmenda kallej nën tokë thellë e më thellë. Njerëzit vazhduan të flasin për parmendën dhe për historinë e saj.Dihej se ku gjendej, diku thellë në këmbë te tyre, por se ku ndodhej pikërisht nuk e dinin. E kërkonin pareshtur, në të gjithë anët, por nuk e gjenin. Ndërkohë pushtuesit vinin njëri pas tjetrit, gjakosnin popullin, shkatërronin gjithçka…

Buka, liria, lufta e popullit për të mos u mposhtur janë motivet thelbësore të kësaj legjende. Ëndrrën e madhe për jetë të lirë, për “një kohë të artë”, populli ynë heroik e ka ushqyer gjithmonë, edhe me luftëra, me legjenda e këngë, dhe nuk ka hequr dorë prej saj, qoftë edhe në kohët më të zeza, nën pushtuesit më mizorë. Dhe kjo ëndërr më së fundi, pas kaq përpjekjesh e vuajtjesh u arrit. Kjo ëndërr për kohën e artë, në ditët e partisë është realitet. “Parmenda” e kërkuar prej shekujsh më në fund u gjend. Nga thesari i pallogaritshëm që i marrim nëntokës së kësaj krahine, sot ne prodhojmë të mira materiale për begatinë e atdheut.

Udhëton disa orë në xhadenë që vjen nga Elbasani, duke kaluar nëpër grykën e Shkumbinit me kreshta malesh nga të dy anët dhe, befas, mbas një kthese peizazhit i shtohet diçka e re, pamja e qytetit e harmonizuar bukur me linjat e atij sfondi të ashpër dhe e vendosur midis dy lumenjve. Që nga varrezat e dëshmorëve disa qindra metra para hyrjes ai duket pothuaj i tëri. Kjo ndodh sepse duke qenë i ndërtuar kryesisht mbi shpate kodrash, ka një shtrirje më tepër vertikale. Duken pallatet e shumta të banimit, dhe, mes tyre, spikat gjelbërimi. Duke u afruar tabloja bëhet, dora-dorës, më e qartë. Ndihet përherë e më tepër lëvizja njerëzore, zhurma e punës nga zona industriale, frymëmarrja dhe pulsi i qytetit. 

Qyteti i Librazhdit është krejtësisht i ri, është një nga ato qendra banimi, që u zhvillua e lulëzua në epokën e socializmit. 
…dikur Librazhdi ka qenë një nënprefekturë e humbur, me shtëpi përdhese e Baraka, me një han që kishte një dhomë të vetme, ku njerëzit flinin mbi shtretër kashte; pranë hanit gjendej ndërtesa e zyrtarëve të xhandarmërisë dhe nënprefekturës; pak më sipër në një pikë zotëruese mbi një bregore ishte xhamia. Kur sheh Librazhdin e sotëm, ideja se si ka qenë ai në të kaluarën, jo më tepër se para 35 vjetësh, të duket e pabesueshme, trillim i fantazisë.

***
E para gjë që e habit vizitorin e këtij qyteti, është ajo shumëllojshmëri ndërtesash nga format dhe ngjyrat. Të gjitha ndërtesat janë të reja. Një dorë e kujdesshme i ka vendosur në vendet e duhura, dhe po me kaq kujdes janë zgjedhur ngjyrat, lartësitë, trajtat, që të gjitha së bashku bëjnë të ndihet një larmi e përgjithshme arkitektonike. Duke iu përshtatur terrenit apartamentet dhe ansamblet e tjera të ndërtesave janë të tipit kullë dhe me kompozime të elementëve vertikalë dhe horizontalë. Kështu bëhet e mundur thyerja e monotonisë dhe krijohet një atmosferë çlodhëse. Urbanistika ka një rëndësi të veçantë për jetën e një qyteti. Ajo nuk është thjeshtë një dekor, një stoli e jashtme, por një tërësi elementesh që kushtëzojnë në një masë të madhe krejt mënyrën e jetesës së njerëzve. Ajo është e lidhur ngushtë me politikën ekonomike të Partisë në përputhje me kërkesat e popullit, është e lidhur ngushtë në fund të fundit me vetë rendin politiko-shoqëror.

Dëshira për të folur për fizionominë e këtij qyteti është e madhe, sepse kjo është gjurma e parë që lë ky qytet mbi ty. Pastaj të bie në sy pastërtia dhe rendi, aq sa harron se je në rrugët e një qyteti ku kalojnë qindra njerëz e dhjetëra makina. Nga luginat e dy lumenjve fryn një erë e lehtë dhe një ajër i freskët e i pastër mbështjell gjithë qytetin. Ky qytet po u qepet maleve me atë rritje të vrullshme që e karakterizon. 

Syri të rrok një ndërtesë të bukur. Është pallati i Kulturës; atij i japin jetë dhe ia shtojnë bukurinë gajdja e Rrajcës, këngët e Bëjeshtës, vallja dhe fyelli i Sopotit, që aq bukur janë dëgjuar e parë në festivalet folklorike të vendit. Qytetarët e Librazhdit janë artdashës jo vetëm si spektatorë. Ka vite që Librazhdi prezantohet me premiera, koncerte, anketa dhe festivale të suksesshme për pionierë. Firma të njohura krijuesish nga fusha e muzikës, poezisë e pikturës debatojnë në këtë qytet dhe krijuesit e këtij Librazhdi kanë ku të frymëzohen për veprat e tyre. Sot Librazhdi nga 8 arsimtarë që ka pasur para çlirimit, ka mbi 700 dhe rreth 16 mijë nxënës, nga 250 që kishte dikur.

Në numrin nxënësve nuk përfshihen ata që studiojnë jashtë rrethit. Sot Librazhdi ka me dhjetëra mjekë e infermierë, ka mbi 6 spitale. Në çdo fshat ka qendër shëndetësore. Si rreth ka 10 shkolla të mesme, duke përfshirë shkollën e arsimit të përgjithshëm, teknikumin gjeologji-miniera, shkollat e mesme bujqësore të hapura në fshatrat Rrajcë, Hotolisht, Polis, Zdrajsh. Dhe veçanërisht të bie ën sy, si në fshatrat e Librazhdit ashtu edhe brenda në qytet kujdesi për muzeumet. Me sa dashuri dhe korrektesë i pasurojnë dhe i mirëmbajnë ato. Me sa respekt e mirënjohje flasin të rinjtë e të rejat për “Orenjën e kuqe”, për nënën Zyra Koçin, që siç ka thënë shoku Enver i dha luftës të birin, Beqir koçin dhe të vetmen dhi që kishte. Gjaku i Beqir Koçit, Isuf Lekës dhe dhjetëra dëshmorëve të tjerë të rrethit dhe mijëra dëshmorëve të vendit sollën epokën e Partisë të cilën e gëzojmë edhe sot. 

Si kudo, edhe në Librazhd ndjehet e fuqishme dora e Partisë, Fondi i përgjithshëm i investimeve për vitin 1978 kap shifrën 13.224.000 lekë nga ku 5.694.000 lekë do të shpenzohen për të ndërtuar 66 objekte në fushën e ekonomisë. Ndërsa për kooperativat bujqësore parashikohen rreth 111 objekte. Dhe vetë ky qytet s’do të dukej kurrë i bukur, sikur të mos i kishte edhe fshatrat rreth e rrotull si një kurorë shumëngjyrëshe. Qyteti dhe fshatrat të japin një fragment sa emocional dhe të këndshëm, të asaj pune të madhe transformuese të bëra në vite te Partisë. Madje edhe në zonat e thella të Librazhdit që dikur ishin ën mëshirën e forcave të verbra të natyrës, sot nuk gjendet asnjë gjurmë e së shkuarës. Këtë e ndjen thellë ai që ka njohur të kaluarën, por edhe neve që vemi tani për herë të parë, na le një përshtypje të fshatit të ri socialist me shtëpitë e bardha, që duken si të porsalyera me institucionet social kulturore dhe me ato lëvizje të gëzuara njerëzish. 

Futemi në shtëpinë e një fshatari plak. Ulemi pranë vatrës dhe bisedojmë. Si është ngrohur ca biseda plaku na thotë: para disa ditësh e kisha djalin me detyrë larg shtëpisë. Të gjithë ishin në aksion për lyerje, pastrimin dhe rregullimin e katundit. Edhe unë me plakën ishim përpjekur ca për shtëpinë, por nuk arritëm ta lyenim. Unë rrija Brenda dhe bisedoja me një vërsnikun tim. Kur dola ta përcillja, ç’të shikoja! Shtëpia zbardhte. E kishin lyer sa hap e mbyll sytë bashkëfshatarët tanë. Plaku qeshte me zë për atë të papritur që e kishte gëzuar aq shumë. Janë bërë traditë tashmë aksionet për higjienizimin e fshatrave.

Një pasqyrë të përgjithshme për pamjen e re të fshatit na dhanë arkitektët Ilir Shuteriqi dhe Kiço Progri. Që nga dhoma ku po bisedojmë mund të bredhësh me mendje të gjithë Librazhdin, qytetin dhe fshatrat. Jemi në një nga zyrat e projektimit të Komitetit Ekzekutiv të K.P të rrethit dhe, ndërsa bisedojmë me arkitektët, troket dera. Fshatari që hyri tha se vinte nga fshati Neshtë. Kërkoj të falur që na shqetësoi dhe deshi të ikë. Por Kiçoja që ia dinte hallin e mbajti. Fshatari na vështroi një herë të gjithëve dhe tha: - Po ja kam atë shtëpinë ndër në duar dhe kemi nevojë të pyesim për ndonjë gjë shokët arkitektë… 

Rrugën për në Librazhd e marrin në këto vitet e fundit shumë fshatarë, që janë duke ndërtuar shtëpi të reja, të bukura e të grumbulluara afër njëra-tjetrës. Shtëpitë ndërtohen Brenda vijës së verdhë dhe sipas planeve rregulluese, që mbështeten në kritere shkencore dhe me perspektivë. Kështu në zbatim të vendimeve të kongresit të 7-të të Partisë, mbi rritjen e investimeve komunale në fshat, sot janë bërë planet rregulluese të 57 fshatrave. Për vitin 1977 u realizua plani i investimeve në fshat. Nga 63 fshatra, 62 janë me ujësjellës. Atje aplikohen urat e varura dhe janë lidhur me rrugë automobilistike të gjithë fshatrat, e sidomos zonat e thella Gurshpatë, Vilat. Ajo që e bën pamjen e fshatit më të bukur është higjiena.
- Higjienizimin e kërkesat në rritje për një mënyrë të kulturuar jetese, janë karakteristika dalluese të rrethit., - na thotë instruktori i Komitetit të Partisë Xhevdet Almeta dhe vazhdon: - rreth 98% e shtëpive në fshatra kanë radio. Kanë radio po sytë i kanë nga televizori. Kemi shumë kërkesa.

Vatrat dhe shtëpitë e kulturës në fshatra. Televizioni dhe autokinemaja. Bibliotekat dhe aktivitetet artistike janë të gjitha së bashku ai zë i ëmbël e i gëzuar i jetës socialiste në fshat. Ajo që i jep jetë kësaj fizionomie është jeta shoqërore dhe ekonomike e banorëve. Janë puna dhe përpjekjet e këtyre njerëzve të rinj në arat dhe ugaret, transhetë dhe ndërmarrjet industriale. Po ta shpalosim deri në fund këtë faqe të jetës së këtij rrethi padyshim do të na duhej të shkruanim shumë. Dikur thuhej: S’bëhet gruri në çati. Vërtet Librazhdi është një çati për nga lartësia, por fshatra si Kotodeshi, Përrenjasi fshat, kanë marrë rendimente të shkallës kombëtare. Dhe pranë kësaj pune të palodhur është edhe klasa punëtore e rrethit të Librazhdit, që u vete në ndihmë kooperativave bujqësore për korrje e shirje, hapje tokash të reja. Meqë jemi te klasa punëtore, dikur Librazhdi kishte vetëm 50 punëtor. Sot ka 8 mijë që punojnë ën rreth 17 ndërmarrje e 2 stacione treni, me volum pune shumë të madh.

Një sharrëxhi na tregoi për atë fat aq të dhimbshëm të pyjeve që i prisnin e i sakatonin pa kriter para çlirimit. Ai shtoi: 
- Sot, or shokë, vërtet shfrytëzohet pylli, por një dru pritet e 10 filiza të tjerë janë më të rritur. Një gjurmë tjetër e punës së këtyre njerëzve janë brezaret e luginës së Shkumbinit. Këto brezarë kanë sajuar atë amfiteatër, gati natyral, shkalla e fundit e të cilit është rruga automobilistike.
***
Përsëri në xhadenë Librazhd –Elbasan. Nisemi nga qyteti i ri me mbresa të shumta, ndonëse koha e qëndrimit qe e shkurtër. Kur makina u afrohet përsëri varrezave të dëshmorëve, shohim aty vizitorë të vegjël, fëmijë të kopshtit me përparëse të bardha. Disa ngjiten ën shkallinat e mermerta, disa zbresin. Vështrojnë majtas dhe djathtas, të zhytur në mendime, në imagjinatën e tyre seriozë. Një kujtim i fundit.

Shkrimi u publikua sot (1.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Dita e Falenderimeve, Trump uron amerikanët duke sulmuar demokratët: Gëzuar edhe ju që u përpoqët të shkatërronit vendin tonë

SHBA/ Dita e Falenderimeve, Trump uron amerikanët duke sulmuar demokratët: Gëzuar edhe ju që u përpoqët të shkatërronit vendin tonë