Familjes Malaj i është njohur e drejta e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 20,700 m², rreth 2.1 hektarë, në fshatin RrjollVelipojë, në një zonë kufitare me vendin ku biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj po ndërton resortin “Blue Borgo”.

Vendimi u dha këtë të hënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencia e Trajtimit të Pronave, një proces gjyqësor i nisur që në vitin 2018 dhe që zgjati 8 vite. Duke qenë se beteja është fituar për 2.1 hektarë, banorët shpresojnë se do të merret një vendim pozitiv nga Gjykata edhe për zonën ku Ulaj po ndërton. Kjo pasi sipas tyre, Fatmir Shpellza, i cili pretendon se zotëron tokën ku Ulaj po ndërton, ka falsifikuar dokumentet për marrjen e saj në pronësi.

Trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Vata, me anëtarë Fuat Vjerdhën dhe Sokol Pinën, vendosi po ashtu edhe anulimin e plotë të vendimit nr. 969 të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të datë 03 korrik 2018, duke i dhënë të drejtë trashëgimtarëve të ish-pronarëve Gjokë Dodë Preka (Malaj), kundër së cilës ishte bërë edhe padia. Gjykata urdhëroi gjithashtu që trashëgimtarët të kompensohen me përparësi brenda pronës së tyre të njohur. Sipas dispozitivit të zbardhur nga Report TV, vendimi përbën tashmë titull ekzekutiv për shërbimin përmbarimor. Megjithatë, palët kanë të drejtë të paraqesin rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. Edhe sot, në ditën e 22-të banorët dolën në protestë dhe njoftuan nga atje vendimin e Apelit.

 “Duke qenë edhe ata pronarë, automatikisht biem pronarë të kësaj toke. Fatmir Shpellzaj, në falsifikimin që ka bërë, ka përfshirë edhe fisin e Malajve”, thotë protestuesja Luçjana Kokaj.

Prej 22 ditësh, banorët e fshatit Rrjoll protestojnë duke bllokuar rrugën për punonjësit e kompanisë “Gener 2” për ndërtimin e resortit. Dy ditë më parë, njëri prej banorëve, dhe zëri kryesor i tyre kundër punimeve që po kryhen, 60-vjeçari Prek Mollaj u arrestua nga policia ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Ata dyshohet se goditën një punonjës të kompanisë së Bashkim Ulajt, kanë nxitur akte dhune, duke thyer xhamat e disa mjeteve në kantier, si dhe kanosën një punonjëse policie.

Me statusin e investitorit strategjik, Bashkim Ulaj në fillim të shkurtit nisi punimet për ndërtimin e “Blue Borgo” në një sipërfaqe prej 146 hektarësh. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ndërsa subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”.

Ndërsa banorët pretendojnë se ky resort po bëhet në pronat e tyre që ua ka grabitur me letra false një person me emrin Fatmir Shpellzaj, i cili më pas ia ka shitur botuesit Bashkim Ulaj. Prej më shumë se 3 javësh protesta, nga ana e biznesmenit Ulaj edhe Fatmir Shpellzës, i cili pretendon pronësinë e tokës, nuk ka pasur asnjë tentativë për t’u ulur e biseduar me banorët për të gjetur një marrëveshje.

Vendimi i Gjykatës së Apelit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:04
Banorët e Rrjollit kundër resortit të Bashkim Ulajt, Berisha: Nuk mund të mbështesim çdo protestë

Banorët e Rrjollit në Velipojë të Shkodrës prej disa ditësh janë ngritur në protesta kundër resortit që po ndërtohet atje nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj, me pretendimet se po u grabitet prona.

Ajo që është vënë re, është se PD nuk ka qenë e pranishme në mbështetje të protestës së këtyre banorëve. Lidhur me këtë mungesë të PD-së, Berisha u pyet sot gjatë një konference me gazetarët dhe përgjigja e tij ishte se Partia Demokratike nuk mund të mbështeste çdo protestë.

Po ashtu, Berisha në asnjë moment gjatë fjalës së tij nuk e përmendi emrin e botuesit pranë familjes së tij, Bashkim Ulajt.

Pyetje: Zoti Berisha, një tjetër situatë e nxehtë është duke u zhvilluar thuajse në përditshmëri në Shkodër në Baks-Rrjoll. Çfarë e pengon PD për të mbështetur këta banorë?

Sali Berisha: Absolutisht, nuk e pengon asgjë dhe PD qëndron prapa çdo shqiptari që i cenohet e drejta, i cenohet prona. Asnjë gjë. Asnjë pengesë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Deputetët tanë kanë qenë aty. Në qoftë se ju mendoni se PD do të jetë pjesë në çdo protestë, kjo besoj se është… PD mbështet çdo protestë të drejtë. Dhe, të them një gjë këtu, kemi ndërtuar më shumë se kushdo në histori dhe më shumë se kurrë dhe nuk kemi pasur absolutisht, përveçse në një rast, asnjë protestë nga pronarët për shpronësimin e tokave të tyre.

Pse? Sepse nuk kemi bërë asnjë hap pa i dëmshpërblyer ose pa firmosur marrëveshjen me ta se në këtë kohë do marrin paratë. Dhe do u jap një shembull. Rruga e Kombit ka bërë shpronësimet më të mëdha dhe ajo është ndërtuar duke bërë dizajnin dhe duke ndërtuar. Çfarë bëmë ne? Ne krijuam një ekip ekspertësh kompetentë dhe e bashkëngjitëm me dizajnin me një qëllim të vetëm, që aty ku vihej vija për të marrë tokën, negociohej me pronarin, i ofrohej shpërblimi, firmosej kontrata me të dhe nga Rrësheni gjer në Morinë, nuk ka pasur asnjë protestë sepse nuk ndërtohej pa zgjidhur problemin e pronësisë.

Atëherë, çfarë duhet të them me këtë? Përgjegjës kryesor për këtë është qeveria, e cila në asnjë rast nuk duhet të firmosë asnjë leje pa marrë garanci të plotë se është zgjidhur plotësisht problemi me pronarët. Kurse qeveria merr paratë vetë dhe i lëshon lejet sipas dëshirës. Ne, qoftë në Rrjoll, qoftë kudo që dalin, ne mbështesim plotësisht pronarët e ligjshëm. Ne nuk pranojmë kurrë arbitraritetin ndaj tyre. Ata që përpiqen ta politizojnë, ata mashtrojnë.

Ora 17:40
Prej tri javësh në protestë, banorët e Rrjollit nuk dorëzohen! E hëna i gjen sërish kundër resortit të Bashkim Ulajt

Tri javë që kur banorët e Rrjollit nisën protestën e tyre kundër ndërtimit të resortit luksoz. Për ditë me radhë ata u përplasën me policinë, por ende vijojnë betejën për të mbrojtur tokat e të parëve të tyre.

Këtë të hënë banorët sërish kanë dalë të protestojnë në vendin ku po zhvillohen ndërtimet, por kanë qenë uniformat blu ata të cilët kanë vënë një perimetër sigurie duke penguar banorët t’u afrohen punëtorëve dhe makinerive.

Rezistenca e banorëve do të vijojë pasi qëllimi i tyre është që të dalë në dritë e drejta e pronësisë së tokave të këtyre banorëve.