Familjes Malaj i është njohur e drejta e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 20,700 m², rreth 2.1 hektarë, në fshatin RrjollVelipojë, që përbën rreth 10% të të gjithë sipërfaqes ku biznesmeni Bashkim Ulaj po ndërton resortin “Blue Borgo”. Vendimi u dha këtë të hënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencia e Trajtimit të Pronave, një proces gjyqësor i nisur që në vitin 2018 dhe që zgjati 8 vite.

Trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Vata, me anëtarë Fuat Vjerdhën dhe Sokol Pinën, vendosi po ashtu edhe anulimin e plotë të vendimit nr. 969 të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të datë 03 korrik 2018, duke i dhënë të drejtë trashëgimtarëve të ish-pronarëve Gjokë Dodë Preka (Malaj), kundër së cilës ishte bërë edhe padia. Gjykata urdhëroi gjithashtu që trashëgimtarët të kompensohen me përparësi brenda pronës së tyre të njohur. Sipas dispozitivit të zbardhur nga Report TV, vendimi përbën tashmë titull ekzekutiv për shërbimin përmbarimor. Megjithatë, palët kanë të drejtë të paraqesin rekurs në Gjykata e Lartë brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. Edhe sot, në ditën e 22-të banorët dolën në protestë dhe njoftuan nga atje vendimin e Apelit.

 “Duke qenë edhe ata pronarë, automatikisht biem pronarë të kësaj toke. Fatmir Shpellzaj, në falsifikimin që ka bërë, ka përfshirë edhe fisin e Malajve”, thotë protestuesja Luçjana Kokaj.

Prej 22 ditësh, banorët e fshatit Rrjoll protestojnë duke bllokuar rrugën për punonjësit e kompanisë “Gener 2” për ndërtimin e resortit. Dy ditë më parë, njëri prej banorëve, dhe zëri kryesor i tyre kundër punimeve që po kryhen, 60-vjeçari Prek Mollaj u arrestua nga policia ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Ata dyshohet se goditën një punonjës të kompanisë së Bashkim Ulajt, kanë nxitur akte dhune, duke thyer xhamat e disa mjeteve në kantier, si dhe kanosën një punonjëse policie.

Me statusin e investitorit strategjik, Bashkim Ulaj në fillim të shkurtit nisi punimet për ndërtimin e “Blue Borgo” në një sipërfaqe prej 146 hektarësh. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ndërsa subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”.

Ndërsa banorët pretendojnë se ky resort po bëhet në pronat e tyre që ua ka grabitur me letra false një person me emrin Fatmir Shpellzaj, i cili më pas ia ka shitur botuesit Bashkim Ulaj. Prej më shumë se 3 javësh protesta, nga ana e biznesmenit Ulaj edhe Fatmir Shpellzës, i cili pretendon pronësinë e tokës, nuk ka pasur asnjë tentativë për t’u ulur e biseduar me banorët për të gjetur një marrëveshje.

 

Vendimi i Gjykatës së Apelit