Një 44-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi u kap duke transportuar me automjet 3 shtetas me origjinë afrikane, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.
44-vjeçari me iniciale Gj. U., banues në Shkodër, u ndalua gjatë natës në rrugën nacionale pranë pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit.
Sipas policisë, tre shtetasit e huaj nuk kishin dokumente identifikimi dhe dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar “Destinationi”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Shkodër.
Policia sekuestroi automjetin me të cilin transportoheshin tre shtetasit e huaj, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shkodrës
"DVP Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Destinationi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
U kap në afërsi të PKK Hani i Hotit, duke transportuar me automjet, 3 shtetas të huaj që synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi, arrestohet në flagrancë 44-vjeçari.
Sekuestrohet automjeti me të cilin transportoheshin 3 shtetasit e huaj.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Destinationi”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. U., 44 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, gjatë natës, në rrugën nacionale pranë PKK Hani i Hotit, duke transportuar me automjetin e tij, 3 shtetas me origjinë afrikane, që synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi. 3 shtetasit e huaj nuk dispononin dokumente identifikimi dhe dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme"










Komente
Komento