Bashkimi Europian po tenton sërish të vendosë sanksione ndaj Patriarkut Kirill, kreut të Kishës Ortodokse Ruse, duke e përfshirë emrin e tij në paketën më të re të masave kundër Rusisë.
Sipas diplomatëve europianë të cituar nga mediat e huaja, emri i Kirillit është pjesë e paketës së 21-të të sanksioneve që Brukseli prezantoi këtë javë. Nëse miratohet, ai do të përballet me ngrirje të aseteve dhe ndalim udhëtimi në vendet e Bashkimit Europian.
Patriarku Kirill konsiderohet një nga figurat më të afërta me pushtetin rus dhe prej kohësh ka qenë në qendër të kritikave për mbështetjen e tij ndaj luftës në Ukrainë. Ai është akuzuar për përhapje të propagandës që justifikon pushtimin rus dhe për mbështetje publike të narrativave të Kremlinit.
Nën drejtimin e tij, Kisha Ortodokse Ruse miratoi një dokument ku pushtimi i Ukrainës përshkruhej si një “luftë e shenjtë”, ndërsa pavarësia e Ukrainës vihej në pikëpyetje.
Kjo nuk është hera e parë që Bashkimi Europian përpiqet të vendosë masa ndaj Kirillit. Në vitin 2022, Brukseli e përfshiu emrin e tij në një paketë sanksionesh, por iniciativa u bllokua nga Hungaria e drejtuar atëherë nga Viktor Orbán.
Budapesti argumentoi se vendimi prekte lirinë fetare dhe përdori të drejtën e vetos, duke shkaktuar reagime të forta nga disa shtete anëtare të BE-së.
Çështja mbeti e ngrirë për disa vite, por situata ndryshoi muajin e kaluar, kur qeveria e re hungareze e drejtuar nga Péter Magyar sinjalizoi se nuk do ta kundërshtonte më këtë hap. Pas këtij ndryshimi qëndrimi, zyrtarët europianë vendosën ta rikthejnë emrin e Patriarkut Kirill në listën e propozuar të sanksioneve.
Megjithatë, miratimi nuk konsiderohet i sigurt. Për shkak të pozitës së tij si kreu i Kishës Ortodokse Ruse, disa vende anëtare mund të kenë rezerva për përfshirjen e tij në listën e zezë. Në Bashkimin Europian, sanksionet kërkojnë miratim unanim nga të 27 vendet anëtare. Për këtë arsye, gjatë negociatave ndodh shpesh që emra të caktuar të hiqen nga lista për të arritur konsensusin e nevojshëm.
Brukseli synon që paketa e 21-të e sanksioneve ndaj Rusisë të miratohet deri më 15 korrik, afat që konsiderohet i rëndësishëm edhe për diskutimet e tjera që lidhen me kufizimet ndaj sektorit energjetik rus dhe tavanin e çmimit të naftës ruse.
Komente








