Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian miratuan të martën tre aktet përfundimtare ligjore që i mundësojnë Kroacisë futjen e euros në përdorim, duke siguruar zgjerimin e parë të bllokut lidhur me përdorimin e monedhës në pothuajse një dekadë.
Kjo shënon përfundimin e procesit i cili do t'i mundësojë Kroacisë të bëhet anëtare e zonës së euros dhe të përfitojë nga përdorimi i monedhës së përbashkët të Bashkimit Evropian nga një janari i vitit të ardhshëm.
Ministri çek i Financave, Zbyněk Stanjura, tha se miratimi i përdorimit të euros është një vendim i përgjegjshëm politik, duke nënvizuar se “Kroacia ka përmbushur me sukses të gjitha kriteret ekonomimke të kërkuara”. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, tha se përdorimi i euros do të sjellë përfitime ekonomike për Kroacionë.
"Do të ndihmojë në statbilizimin e normave të interesit, duke e bërë më të lehtë dhe më të lirë për individët dhe kompanitë të marrin hua, si dhe do të sjellë ndikim pozitiv në rritjen e saj falë integrimit të plotë në tregun evropian”, tha zoti Dombrovskis.
Kroacia bëhet anëtarja e njëzetë e eurozonës. Vendi i fundit i Bashkimit Evropian që iu bashkua eurozonës ishte Lituania në vitin 2015. Ministri kroat i Financave, Zdravko Mariç, tha se vendi i tij mezi pret të ndihmojë “në forcimin e mëtejshëm të rolit ndërkombëtar të euros”.
“Do të shohim se si do të ecin gjërat. Mezi presim të bëhemi vendi i njëzet anëtar i eurozonës dhe kësisoj të japim kontributin tonë në forcimin e mëtejshëm të rolit ndërkombëtar të euros si dhe fuqisë së përgjithshme të valutës së dytë më të madhe në botë”, tha ai.
Në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, adoptimi i euros ofron përfitime ekonomike që rrjedhin nga lidhjet e thella financiare ndërmjet anëtarëve të bllokut të monedhës, si dhe nga autoriteti monetar i Bankës Qendrore Evropiane
Një efekt më i prekshëm është fakti se asnjë nga 340 milionë banorët aktualë të zonës euro që vizitojnë Kroacinë, nuk do të kenë më nevojë të shkëmbejnë paratë e tyre.
Hyrja në eurozonë ka edhe shpërblime politike, meqë monedha e përbashkët është projekti më ambicioz i Evropës për të integruar shtetet, duke u dhënë atyre një vend në tryezat kryesore vendimmarrëse të Bashkimit Evropian.
Monedha kombëtare që Kroacia do të braktisë quhet kuna. Një nga tre aktet ligjore të miratuara të martën përcakton normën e shkëmbimit midis euros dhe kunës kroate në 7,53 kuna për 1 euro./VOA