Rusia ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, duke e konsideruar të papranueshme. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha se ata presin një reagim "të përshtatshëm" nga Perëndimi në lidhje me këtë deklaratë.

"Ne e konsiderojmë deklaratën e Kryeministrit shqiptar Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës absolutisht të papranueshme. Promovimi i planeve për krijimin e një Shqipërie të madhe është në kundërshtim të madh me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe minon stabilitetin në rajon," tha Zakharova.

Sipas Zakharova, kjo deklaratë nuk futet në kontekstin e përpjekjeve të përbashkëta nga Beogradi dhe Tirana për të krijuar një treg të vetëm, si pjesë e nismës rajonale "Ballkani i Hapur" së bashku me Shkupin.

"Ne presim një reagim të përshtatshëm nga mentorët perëndimorë të projektit të shtetndërtimit të Kosovës ndaj këtij provokimi të pacipë," përfundoi Zakharova.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive, foli për planet e tij në 2030, aspiratat e tij për Kosovën si dhe tensionet e opozitës. I pyetur për ‘Bashkimin e Shqipërisë së Madhe’, Rama u shpreh se aspiron të bashkojë Shqipërinë me Kosovën, por jo të jetë drejtuesi i tyre në mënyrë kategorike.

Kjo solli edhe përgjigjen e menjëhershme nga Beogradi ku Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin ku tha se e vetmja gjë së mund ta ndalojë krijimin e Shqipërisë së Madhe është formimi i të ashtuquajturës ‘bota serbe’.