“Bashkimi Sovjetik mund ta pushtojë menjëherë Shqipërinë mbasi, ai është një shtet i fuqishëm, sidomos ushtarakisht…”/ Deponimet e Dom Shtjefën Kurtit në hetuesi

“Bashkimi Sovjetik mund ta pushtojë menjëherë Shqipërinë mbasi, ai është një shtet i fuqishëm, sidomos ushtarakisht…”/ Deponimet e Dom Shtjefën Kurtit në hetuesi

NIKOLLË LOKA

Av.ALFDRED DUKA

NIKOLIN KURTI

Pjesa e njëzetë e dy

Vijon nga numri i kaluar

Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij

Gjatë vuajtjes së dënimit

Proces verbal

Në Tiranë, me 15 korrik 1970. Unë, Iljas Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtejfën Kurti.

Pyetje: Tregoni, çfarë është biseduar tjetër për çështjen e arratisjes jashtë shtetit në darkën që është bërë në dhomën tuaj?

Përgjigje: Çështja e arratisjes sonë jashtë shtetit, është biseduar ashtu sikurse e kam shpjeguar në proçeset e mija, por në lidhje me këtë çështje kam për të shtuar se, në darkën ose mbledhjen që u bë në dhomën time, kur ne bisedonim për t’u arratisur jashtë shtetit, në fillim duhet të kalonim në Jugosllavi dhe pastaj në Itali. Me sa me kujtohet, Zef Nishi ose Pjetër Biba, thanë se mund të na kthenin jugosllavët, por unë u thashë: Mos u bani merak për këtë punë, ai fat që do të më gjej mua, ai fat do t’u gjej edhe ju.

Lidhur me këtë çështje, kam patur parasysh se unë vazhdoja të mbaja shtetësinë jugosllave dhe, kur do të kaloja në Jugosllavi, jo vetëm unë do të isha i siguruar, por kjo do të bëhej mbështetje edhe për të tjerët. Se unë vazhdoj të mbaj shtetësinë jugosllave, kjo është e vërtetë, mbasi kur kam ardhur në Shqipëri në vitin 1930, nuk kam bërë shpërngulje, por jam arratisur nga Jugosllavia dhe kërkova strehim politik në Shqipëri. Më kujtohet se në atë vit kur kam ardh në Shqipëri, është bërë regjistrimi i përgjithshëm. Me këtë rast unë ndodhesha në Tiranë, u regjistrova si shtetas shqiptar. Pra, për në Shqipëri kam shtetësinë shqiptare, ndërsa për në Jugosllavi kam shtetësinë jugosllave.

Procesin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmosa.

Hetuesi I arrestuari

Iljaz Haxhiaj Shtjefën Kurti

Proces verbal

Në Tiranë, me 16 korrik 1970. Unë, Ilias Haxhiaj hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Vazhdoni te na jepni shpjegime për veprimtarinë armiqësore që keni zhvilluar kundër pushtetit?

Përgjigje: Në darkën që bëmë në dhomën time, ku aty kanë qenë Pjetër Biba, Mark (Bardhok) Marku dhe Zef Nishit u hap fjala për forcën e Bashkimit Sovjetik dhe për mundësitë që ka ai për ta pushtuar Shqipërinë, pavarësisht se çfarë ka thënë Mao Ce Duni për Shqipërinë, se në rast agresioni kundër Shqipërisë populli kinez nuk do të njohë as largësi as kufi për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, ne kemi thënë se Bashkimi Sovjetik mund ta pushtojë menjëherë Shqipërinë mbasi, ai është një shtet i fuqishëm, sidomos ushtarakisht, disponon mjete moderne luftarake, kurse Shqipëria këto nuk i ka.

Pjetër Biba, Bardhok Marku dhe Zef Nishi thanë, a do të jetë larg ajo ditë që Bashkimi Sovjetik dhe shtetet e tjera ta sulmojnë Shqipërinë dhe ta përmbysin këtë pushtet, pa le të shpëtojë kush të shpëtojë. Unë u thash se, përpara fuqisë së madhe, siç është Bashkimi Sovjetik, Shqipëria nuk mund t‘i rezitojë dhe menjëherë do të kapitullojë, kështu që ky regjim do të përmbyset, por megjithatë u thashë, ka mundësi që Bashkimi Sovjetik, për shkak të interesave të tij, të ndeshet në rezistencë nga shtetet e Europës Perëndimore, si nga Italia, Franca dhe Ingliterra, mbasi këtyre shteteve nuk u intereson që Bashkimi Sovjetik të dalë në Adriatik, prej nga më vonë mund të futet në Egje e Mesdhe.

Në kohën kur ndodhën ngjarjet në Çekosllovaki, Pjetër Biba më ka pyetur se ku ndodhet kjo dhe nëse është shtet i madh? Unë i thash se Çekosllovakia është kufi me Gjermanin Perëndimore e cila, ka pretendime ndaj Çekosllovakisë dhe për këtë arsye Bashkimi Sovjetik u fut në Çekosllovaki, megjithatë Bashkimi Sovjetik në Çekosllovaki, i ka dhanë liri fesë katolike dhe se atje katoliçizmi po lulëzon por, për mendimin tim, u thashë se regjimi i Dubçekut, mund të lejonte edhe më shumë zhvillimin e katolicizmit në Çekosllovaki dhe avash – avash, do të zhdukte komunizmin, gjë që do të influenconte edhe pushtetet e tjera, përfshi dhe Shqipërinë.

Më kujtohet se ka qenë në muajin janar 1970, Mark (Bardhok) Marku, kur ishim duke udhëtuar së bashku, unë për në shtëpi: Nuk duhet që të bisedosh me çdo njeri kundër pushtetit, mbasi mundet të të tradhtojnë, kurse me mua bisedo gjithçka, mbasi sikur të ma bëjnë mishin copë- copë, unë ty nuk të qes fjalë. Bëhej fjalë për një bisedë që kisha bë unë me Preng Sherrin, karrocier i kooperativës në një rast, kur unë isha duke udhëtuar me karrocën e tij dhe i thashë se po çuditem që ky popull, midis të cilit unë kam ardhur i pari famullitar dhe kam ndërtue kishën dhe qelën në Gurëz, tani nuk më ndihmon kurrkush, sikur dhe me një kokërr vezë.

I thashë çuditem që vdesin sa e sa njerëz dhe as njeriut nuk i bie ndër mend të më sjellë ndonjë lëmoshë për me i thanë ndonjë meshë, ndonjë uratë e të tjera shërbime fetare. Këtë bisedë, Prenga e kishte pasë biseduar me njerëz të tjerë dhe se Bardhoku e kishte marrë vesh dhe më foli mua në këtë rast. Unë e porosita Bardhokun që ky t’i fliste Prengës që, mos t’a hapte ma këtë fjalë. Bardhoku më tha që këtë punë do ta mbyll vetë. Ma vonë, kur e kam takuar Bardhokun, e kam pyetur nëse e kishte rregulluar atë punë dhe ai më tha: Rri rahat se kjo punë u rregullua.

Në bisedimet që kam patur me Pjetër Bibën dhe Bardhok Markun për çështjen e fesë, unë u kam thënë atyre se masa që u muar për zhdukjen e fesë në Shqipëri nuk ishte e drejtë, mbasi feja është një mjet ose një fre, për mos me e lan njeriun për me bë keq. Procesin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos.

Hetuesi I arrestuari

Iljaz Haxhiaj Shtjefën Kurti

Proces verbal

Në Tiranë, me 17 korrik 1970. Unë, Ilias Haxhiaj hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Ç’farë është biseduar tjetër në mbrëmjen, kur jeni mbledhur në dhomën tuaj?

Përgjigje: Nuk mbaj mend se kush nga këta të tre, Bardhoku,

Pjetri apo Zefi, më pyeti për liritë demokratike në vendet e Perëndimit, nëse në ato vende ishte e ndaluar ose jo dëgjimi i radio stacioneve të huaja dhe unë u bisedova çështjet e mëposhtme: U thashë se në vendet Perëndimore njeriu gëzon të gjitha liritë demokratike dhe për të dëgjuar radiostacionet e huaja, mbasi atje, rendi politik ndryshon nga ky në Shqipëri. Ne këtu kemi një shtet totalitar, pa parti të tjera. Këtu në Shqipëri, nuk është i lirë njeriu që të zhvillojë mendimet e tij politike, se po të ishte kështu, do të kishte edhe parti të ndryshme, gjithkush sipas pikëpamjeve të veta; lirinë e organeve të veta, lirinë e mbledhjeve, lirinë e demonstratave, mitingjeve, lirinë me mbajt fjalime në radio, lirinë me organizue fushatën e zgjedhjeve, me votue ku të dojë, me pasë përfaqësuesit e vet në Parlament, lirinë me mbajt të drejtat e programit të partisë së tyre si dhe kur nuk i pëlqejnë veprimet e qeverisë, t’i kritikonte këto sipas programit të partisë. Të jenë të lira këto parti opozitare, që më i dhënë ose jo votëbesimin qeverisë në fuqi, pra, këto liri demokratike në Shqipëri nuk i kemi.

Në shtetet e tjera ka liri partish, të cilët janë në opozitë njëra pas tjetrës sipas pikëpamjeve politike dhe programit të shtruar nga secila. Ato kanë të drejtë me pas organin dhe shtypin e tyre, që të shkruajnë për ta mbrojtur programin e tyre, për të bindur popullin për vijën e tyre politike. Atyre, shteti në fuqi u garanton që të shkruajnë ato që mendojmë, të organizojnë mitingje si dhe mbledhje nëpër salla që qeveria i vë në dispozicion secilës parti. Atyre u jepet e drejta që të mbajnë fjalime në radio a televizor, kanë të drejtë të kritikojnë qeverinë në fuqi si dhe me ba koalicione ndërmjet partive, për me e kalue qeverinë në fuqi në votëbesim.

Pyetjes së tyre, domethënë të personave që thash më sipër, pse në vendet Perëndimore lejohet krijimi i partive komuniste, unë u’a shpjegova se, po të mos i lejonin këto parti, atëherë këto shtete do të shkonin drejt një shteti totalitar, sikurse ai i Hitlerit dhe i Musolinit dhe nuk do të kishte demokraci të vërtetë.

Për sa i përket Kishës, edhe ajo në ato vende të Perëndimit, ka liritë e veta, të garantuara plotësisht, ka të drejtën e organeve të veta, të drejtën e fjalës, të mbledhjes, të transmetimit të radios, atë çka don, me çue kudo delegacione të ndryshme fetare, për mbledhje internacionale, për kongrese dhe anasjelltas dhe me ftue këdo, ka të drejtë të kundërshtojë me forcë ndonjë ligj që paraqitet për aprovim, i cili është në kundërshtim me kanunet e kishës, ka të drejtë pa leje të qeverisë me ngritë kisha, me themelue famulli të tjera, me ngrit institucione fetare mashkullore e femërore, me hap shkolla për të gjitha kategoritë, ka të drejtë me organizue rininë në veprimin katolik, me dërgue jashtë shtetit misionarë dhe misionare. Kisha ka dhe përfaqësuesin e saj në shtetet e huaja në marrëveshje me ta, i cili thirret Nunc Apostolik. Ky kryen rolin e përfaqësuesit të Kishës në marrëdhëniet e Kishës me shtetin ku është akredituar, anasjelltas edhe shtetet e tjera dërgojnë pranë Vatikanit, ambasadorin e tyre, i cili sikurse dhe i pari, kryen marrëdhënie shtetërore me kishën. Si njëri dhe tjetri, merren vetëm me veprimtari fetare, duke mos cënuar të drejtat e njëri-tjetrit.

Procesin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos.

Hetuesi I arrestuari Iljaz Haxhiaj Shtjefën Kurti

Proces verbal

Në Tiranë, me 18 korrik 1970. Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Vazhdoni të jepni shpjegime në lidhje me aktivitetin armiqësor që keni zhvilluar kundër pushtetit popullor?

Përgjigje: Në bisedë që unë kam patur herë pas here me Pjetër Bibën, gjatë vitit 1969 dhe në vazhdim deri në arrestimin e tij, si në shtëpinë e tij, ashtu dhe në dhomën ku flija unë, këtij i kam biseduar se demonstratat që bëhen në vendet Perëndimore, më çuditin, mbasi në këtë rast populli merr me të mirë lirinë e vendit, mund të mendojnë se atje paska liri, për të shfaqur mendimet e veta; ndërsa ne na ndalohet edhe dëgjimi i radiostacioneve të huaja; prandaj mund të thonë populli dhe rinia sipas mendjes sime, se si do të jetë jeta e njerëzve në ato vende? I kam thënë Pjetrit se, në shtetet e Perëndimit, njerëzit gëzojnë liri të plota dhe kushdo ka të drejtë të marrë fjalën, mjafton të mos prishi rendin publik, kurse ne, në këtë pushtet, nuk guxojmë që të shprehim ndonjë mendim tjetër politik.

Këto biseda, përveç me Pjetër Bibën, unë i kam zhvilluar edhe me Mark (Bardhok) Markun dhe Zef Nishin, herë me njërin, herë me tjetrin, sipas rastit, ose kanë qenë së bashku të tre, Pjetri, Bardhoku dhe Zefi, në takimet që kam patur me ta, si në punë dhe në dhomën time, te shtëpia e Shkurt Bibës, gjatë vitit 1969. Unë kam biseduar me këta se nga ky pushtet, ne na është hequr çdo liri, qoftë politike, qoftë fetare dhe jetojmë me frikë, ashtu si të gjithë kundërshtarët e këtij pushteti. Kam biseduar me këta të tre, për artikuj të ndryshëm që botohen në shtyp, për luftërat që zhvillohen në vendet e tjera dhe kam thënë se në shtypin tonë shkruajnë në këto artikuj vetëm humbjet e kundërshtarëve dhe asnjëherë nuk shkruhet për humbjet e shtetit, me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie të mira, me përjashtim të bombardimeve që ato dihen. Këtu e kisha fjalën për luftën që bëhet në Vietnam.

Kam biseduar gjithashtu se shtypi ynë shkruan vazhdimisht për greva e demonstratat që bëhen në vendet perëndimore dhe nuk shkruan asnjëherë për ndërtimet që bëhen në ato vende, për mirëqenien e popullit dhe për organizimin e shkollave të tyre.

I kam folur Pjetër Bibës, për sukseset, që ka arritur mjekësia në vendet Perëndimore dhe në veçanti në Itali. Këto gjëra unë i kisha dëgjuar në radiostacionin Roma. Gjithashtu në bisedat që kam patur me Pjetër Bibën, Mark (Bardhok) Markun dhe Zef Nishin, u kam thënë këtyre se shtetet Perëndimore e kanë rregulluar ekonominë me anën e tregut të përbashkët. Në këtë organizatë, ku përfshihen gjashtë shtete perëndimore, në të cilën kërkojnë të marrin pjesë dhe shtete të tjera Perëndimore, janë futur dhe shtete afrikane dhe aziatike, caktohen çmimet në marrëveshje të plotë të anëtarëve të kësaj organizate dhe lëvizja e këtyre jashtë këtij tregu. Asnjëri prej tyre nuk mund të ngrejë ose të ulë çmimet.

Fshatarësia e këtyre vendeve, është e sigurt se prodhimet e tyre do të gjejnë treg brenda vendit të vet ose jashtë në tregjet e shteteve pjesëmarrëse; kurse në vendin tonë nuk është kështu. Plani i punimeve vjen nga lart dhe ajo punë do të bëhet. Prej prodhimit do të sigurohet pikë së pari grumbullimi i prodhimeve me cilësi më të lartë, pjesa që mbetet është cilësi e dobët, i mbetet për konsum popullit. Këtej vjen që, nga ndonjëherë populli nuk ka mundësi me ble bukë aq sa ka nevojë, ngaqë nuk ka mbetur gjë për konsum për popullin; kështu që kooperativa detyrohet të blejë bukën nga grumbullimi, për të furnizuar popullin me një çmim më të lartë sesa ia ka shitur grurin; kështu ndodhin mos kënaqësi në popull. Gjithashtu u kam biseduar se kooperativat, meqenëse janë në zhvillim e sipër, bëjnë investime të mëdha, këtej vjen që kooperativat bujqësore gjatë vitit paguajnë një çmim të ulët për punëtorët në ditë pune, mbasi nuk janë të sigurt se në mbarim të vitit do t’u dali llogaria.

Edhe kështu, në mbarim të vitit, mbas mbledhjes plenare, në qoftë se llogaria nuk i del kooperativës sipas investimeve, por mbeten borxhe, atëherë kooperativa u mbetet borxhe anëtarëve të kooperativës, nuk ka me se i paguan, me shpresë që vitin e ardhshëm të mbulojë borxhet. Pra, në përfundim të këtyre bisedave, me argumentet e mësipërme, u thosha se ky sistem i kooperativave nuk është i drejtë, nuk është për të mirën e popullit, por varfërohet populli. Duke biseduar me Pjetër Bibën, ai më thoshte a do të ketë përmbysje të këtij pushteti? Unë i thosha se po të vinte koha do të shëtisja nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, udhëheqësin kryesor të Partisë, duke i treguar popullit, për fatkeqësitë që kanë patur nacionalistët në këtë regjim, sa gjak është derdhur prej tyre, sa mijëra veta janë dergjur nëpër burgje, e sa e sa të tjerë janë dergjur nëpër kampe në fillim, duke punuar në kondita të vështira, me një copë bukë në ditë dhe duke u trajtuar keq nga organet e Punëve të Brendshme, pa patur asnjë të drejtë se ku me u ankue.

Gjithashtu në bisedat që kam patur me Pjetër Bibën, Bardhok Markun dhe Zef Nishin, unë u kam folur se në shtetet Perëndimore njeriu më fukara jeton më mirë se sa këtu në Shqipëri. Kam thënë se demonstratat dhe grevat në shtetet Perëndimore, bahen jo sepse nuk kanë me se të jetojnë, por meqenëse pronarët kanë fitime të mëdha, edhe ata kërkojnë përmirësimin e jetës, dëshirojnë që të kenë makinat e tyre, sikurse i kanë shumë shokë të tjerë; me përmirësue gjendjen ekonomike në shtëpi si dhe me u teprua diçka për të bërë pushimet e verës. Ndodh edhe disa mendje kërcyer, që t’ue pasur një makinë, djali ose vajza thotë, du edhe unë makinë, e kësaj dore zgjuan edhe ekzigjenca të tjera gjithnjë e më të mëdha. Punëtorët atje, në vendet Perëndimore, kur shkojnë në punë, kanë kabinën e tyre, ku i lënë teshat, me të cilat kanë ardhur dhe veshin teshat e punës dhe kur të dalin nga puna bëjnë dush, lahen dhe vishen me teshat e reja, sa nuk njihen se janë punëtorë; sikurse këtu në Shqipëri, sidomos në bujqësi, punëtorët kanë mungesa në ushqime, qoftë për veshmbathje dhe duhet të dalin në punë gjithnjë në punë e gjithë ditën.

Procesin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejtë, e firmos. Memorie.al

Hetuesi I arrestuari

Iljaz Haxhiaj Shtjefën Kurti

Vijon numrin e ardhshëm

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja