TIRANE- Ndarja e re territoriale dhe shtimi i kopetencave për të zgjedhurit vendor duket se ka shtyrë shumë prej deputetëve aktual të Kuvendit për të qenë pjesë e garës në 21 qershor. Java e parë e marsit është përcaktuar si vendimtare nga drejtuesit e forcave kryesore politike në vend për përcaktimin dhe lançimin e emrave të kandidatëve për 61 njësitë vendore.

Kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta ka qenë të rezervuar në dhënie detajesh sa i takon emrave konkretë, ndërkohë që sinjalizimet për kandidimin e mundshëm të deputetëve dhe madje edhe ministrave e kanë dhënë eksponentë të lartë brenda këtyre partive. Kështu pak javë më parë në një intervistë për “A1 Report”, kreu i grupit për zgjedhjet vendore në PS, Blendi Klosi, deklaroi se këto zgjedhje për shkak të përmbajtjes dhe ndryshimeve të ndodhura do të jenë shumë politike.