Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do mblidhet të hënën e 16 dhjetorit në Lozanë (Zvicër) për të vendosur në lidhje me kompeticionet që ajo organizon. Në këtë mbledhje pritet të diskutohet dhe miratohet bashkorganizimi i Euro 2027 për moshat nën 21 vjeç mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Edhe pse në agjendën e punimeve nuk ceket kjo temë, afatet kohore e bëjnë të pamundur që UEFA mos i japë dritë jeshile këtij projekti. Në garë për bashkorganizimin e Euro 2027 për U-21 janë Shqipëria dhe Serbia si një kandidat i vetëm dhe paçka kundërshtisë nga shumë faktorë për një bashkëpunim të tillë, gjithçka duket e përfunduar.
Të shumta kanë qenë reagimet e shqiptarëve kundër një bashkëpunimi me Serbinë, por që duket se kanë rënë në vesh të shurdhët. Si e vetmja kandidaturë, duket se mungon vetëm "ok" që Shqipëria dhe Serbia të bashkëpunojnë për një turne të tillë.