Bashkurti: Ramiz Alia nga shkolla
e KGB, Sali Berisha një hipokrit

Bashkurti: Ramiz Alia nga shkolla <br />e KGB, Sali Berisha një hipokrit
TIRANE - Në fakt është ftuar të flasë më shumë për të shkuarën, por në fund shpreh mendimin e tij edhe për të tashmen, me vështrimin nga e ardhmja. E mbyll, duke folur për Kryeministrin Berisha, për karakterin e tij, porse ajo që ka rëndësi, është apeli që lëshon për një largim të butë të tij nga politika. Pohon me sinqeritet hapat e karrierës së tij në një kreshendo interesante në fazat e fundit të sistemit të vjetër, duke vërtetuar edhe një herë perceptimin e hershëm publik, mbi karakterin dhe rolin e tij reformator në etapat më të rëndësishme të demokratizimit të vendit. Përmend emra ish-shefash, miqsh e kolegësh, të cilët i vlerëson për atë që kanë bërë, por nuk heziton të kritikojë hapur ish-bosin e tij për përgjegjësinë historike që mbart për vonimin e procesit të demokratizimit. Flet për "Katovicën" e Gorbaçovin, në një rrëfim të pazbuluar kurrë më parë, duke na sjellë më të detajuar karakterin e Ramiz Alisë. Nuk ka se ç'të thotë për "spastrimet" e mëdha të fillimviteve '80, pasi le të kuptohet se i ka përjetuar si gjithë shqiptarët e tjerë, në kohën kur sapo kishte nisur të jepte mësim në Liceun Artistik të Shkodrës, pasi nëse ka që s'e dinë, edukimi i tij primar, është ai muzikor. Për më shumë, le të ndjekim të plotë intervistën e Prof. Dr. Lisen Bashkurtit për Shqiptarja.com.

* * *

Prof. Bashkurti, ju përveç karrierës suaj të gjatë si politikan e diplomat gjatë demokracisë, keni edhe një karrierë që arriti deri në njërin ndër postet më të larta të hierarkisë edhe në kohën e sistemit të vjetër. Çfarë mund të na veçoni ndonjë detaj për kohën apo rrethanat kur ju u emëruat në atë post?
Në tre vitet e fundit përpara rënies së regjimit të kaluar unë kisha mbrojtur gradat shkencore "kandidat i shkencave" dhe "doktor" për kritikë artesh. Menjëheherë mbas këtij evenimenti shkencor personal rrjedha ime e karrierës ndryshoi fare papritur. E them këtë, sepse unë nuk kisha qënë në asnjë organ politik partiak, as në nivel të thjeshtë organizate partie, as në nivele plenumi rrethesh dhe në asnjë forum politik partiak. Kisha pasur vetëm aktivitet rinor si sekretar rinie i universitetit ku kisha studiuar në vitet '80 dhe kaq. Mesa duket, siç e gjykova më pas, udhëheqja politike e kohës, po bënte përpjekje për të zgjedhur disa eksponentë me tituj e grada shkencore, me kualifikime e gjuhë të huaja perëndimore që të shërbenin si një koperturë përpara botës me arsyetimin se "Shqipëria po rinovon e modernizon kapacitetet njerëzore". Në këtë kontekst, në tetor 1987 mua më thirrën në Komitetin Qëndror të Rinisë dhe në Kongres më zgjodhën Sekretar për Edukimin dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Në dhjetor 1989, pra vetëm një vit pas ndryshimit të madh politik, më zgjodhën Sekretar të Parë të Rinisë. Edhe në këtë post, unë kurrë nuk kam qënë në hierarkinë e Partisë së Punës, as në bazë, as në rrethe dhe në asnjë forum politik të lartë të saj. E nisa dhe e përfundova karrierën time vetëm si drejtues i organizatës së rinisë, në të cilën bënin pjesë rreth 600 mijë antarë që nuk ishin antarë të PPSH. Fare pak prej tyre ishin antarë partie.

Cilat ishin detyrat tuaja dhe çfarë ndryshimi pritej të sillnit ju, në krahasim me paraardhësit tuaj në kontesktin e kohës në të cilën po flasim?
Puna me rininë ka qënë sfidante sidomos në atë periudhë. Unë, si drejtuesi i rinisë përjetova atë vit, pra në vitin '90, kohë kur isha në krye të saj, një situatë shumë interesante. Nga poshtë ndjeja presionin demokratik në rritje të rinisë, e cila më kishte zgjedhur me vullnet të lirë. Nga lart ndjeja një presion shtypës në rritje prej udhëheqjes partiake konservatore, për t'iu kundërvënë rinisë. Gjatë tërë kohës, për afro një vit që kam qënë në krye të rinisë, kam përjetuar një gjëndje të tillë, si në një pneumatik të dyfishtë. Në këto rrethana që erdhën duke u përkeqësuar, unë bëra gjithçka që të afrohesha me rininë dhe t'i largohesha lidershipit politik konservator. Në këtë proces përzgjedhje personale gjatë gjysmës së dytë të vitit 1990, kryesisht kalova në krye të rinisë në terren. Qëllimi im ishte të kontribuoja sa kisha mundësi me gjithë autoritetin e ndikimin tim për evitimin e konfrontimeve që mund të shkonin në gjakderdhje. Natyrisht, gjakderdhja ndodhi. Për këtë arsye e me këtë mision pajtues e qetësues kam qënë i vetmi nga Tirana që i kam bërë vizitë familjes së Josif Budës në Kavajë në verën e vitit 1990, që u vra nga forcat e sigurisë. Kam qënë në shtëpinë e Arben Brocit, që u vra pabesisht në ngjarjet e Shkodrës 1991. Kam qënë në tërë procesin e krijimit të opozitës demokratike së bashku me Azem Hajdarin, që e kam pasur mik nga origjina e familjes time prej Tropoje, Eduard Selamin që e kisha shok universiteti, Shinasi Ramën që ishim miq familjarë e komshi në Shkodër etj. Edhe me doktor Berishën kisha njohje të thellë prej shumë vitesh. E kam ndjekur këtë proces tranzicioni me shumë sforco, sepse herë pas herë më kërkohej të jepja llogari përpara Ramiz Alisë për atë që ndodhte jashtë orientimit të lidershipit partiak. Unë nuk isha pjesë e asnjë forumi politik partiak, prandaj në jo pak raste më kanë fyer e quajtur si "macja e zezë" në krye të rinisë. Në fakt unë nuk bëja asgjë më shumë, por paraqisja raporte shumë të sinqerta në rastet kur më kërkoheshin. Të gjitha janë në arkivat e Shtetit. Kështu që unë me vullnetin tim, pa vendim forumesh që ishin shumë të diversifikuara në atë tranzicion, ndoqa çdo fazë; nga ideja e Godinës 15, deri te takimi i studentëve me Ramiz Alinë për lindjen e opozitës demokratike. Më pas rinia që drejtoja, bëri një flakje masive të teserave në dhjetor 1990, duke u shkëputur nga varësia e PPSH me një vendim të Komitetit Qëndror të Rinisë, organizuar në Pallatin e Pionierëve në Tiranë. Këto ngjarje janë pasqyruar shumë realisht nga gazetat "RD", "Republika" dhe "Koha Jonë". Këto tre media kanë qënë shumë të hapura e mbështetëse ndaj meje. Mjerisht, gazeta "Zëri i Rinisë" nuk më bindej tërësisht, ndonëse ishte në varësinë time direkte. Shkaqet mund t'i marr me mend. Unë përdora tribunën opozitare për shpalosjen time. Të gjitha janë në arkivat e mediave. Vendimi, që u mor pak ditë mbas lindjes së opozitës, organizatën e rinisë që unë drejtoja në dhjetor 1990 e shkëputi tërësisht nga roli udhëheqës i Partisë së Punës. Në një takim në Komisionin për ndryshime Kushtetuese, ku bëja pjesë edhe unë, Ramiz Alia, në sy të Foto Çamit, Adil Çarçanit, Manush Myftiut, Haxhi Leshit, Aranit Çelës etj., më sulmoi haptazi me akuzën se "po tradhtoja gjakun e Qemal Stafës dhe dëshmorëve të kombit". Unë nuk fola, por u trondita jashtë mase. Akuza më bëhej zyrtarisht në prezencë të gjithë udhëheqjes së shtetit e partisë. Nga ajo ditë, marrëdhëniet e mia me Ramiz Alinë erdhën duke u ftohur e distancuar, deri në ndërprerje të plotë të takimeve e komunikimeve. Ndërkohë, unë u bëra pjesë e lëvizjes për shmangien e konfrontimeve përgjakëse te Liceu Artistik në fillim të dhjetorit 1990, ku ka qënë i pranishëm edhe doktor Berisha e Besnik Mustafaj; u përpoqa për shmangjen e ngjarjeve në Shkollën e Bashkuar dhe mënjanimin e ballafaqimit të rinisë studentore civile me rininë ushtarake të armatosur të Shkollës së Bashkuar; mbështeta nga brenda dhe në "Radio Tirana" me deklaratë publike, grevën e urisë së studentëve për heqjen e emrit "Enver Hoxha" të UT, së bashku me Abdi Baletën, asokohe ishte drejtues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit; isha pjesë në turmën për procesin e rrëzimit të monumentit të diktatorit pa incidente; personalisht, me Spiro Deden mbështetëm grevën e urisë së minatorëve të Valiasit me grevistët ish-të burgosur politikë, si Roland Përmeti etj; më së fundi mora pjesë personalisht në zgjedhjet e para demokratike për parlament, si pjesë e opozitës antikomuniste, ku dola për herë të parë deputet i koalicionit anti-komunist shqiptar. Në parlament qëndrova 6-muaj dhe më pas, me kërkesë timen kalova në shërbimin diplomatik, prej të cilit nuk jam larguar asnjëherë deri më sot, qoftë në shërbim shtetëror, qoftë në shërbim personal diplomatik dhe akademik në këtë fushë.

Përtej kësaj, si i përjetuat ju në rininë tuaj valën e fundit të "spastrimeve" që u mbyll me dosjen "Hazbiu & Co." dhe fillimin e një ere të re pas vdekjes së Hoxhës dhe ardhjes në krye të shtetit të Ramiz Alisë?
Mua më kanë zgjedhur në organizatën e rinisë në shtator të vitit 1987. Këto ngjarje që pyetni juve, kanë ndodhur shumë vite më parë, kur unë kam qënë arsimtar në Liceun Artistik në Shkodër. Nga ana tjetër, unë nuk kam qënë edhe mbas viteve 1987 në asnjë forum politik të Partisë së Punës dhe në asnjë funksion ekzekutiv në qeveritë e regjimit të kaluar. Përveç sekretar rinie nga 1987 deri në vitin 1990, nuk kam pasur asnjë detyrë apo funksion tjetër. Kam qënë jashtë çdo rrjedhe politike në Tiranë për periudhën që pyetni.

Cilat ishin rrymat konservatore dhe ato liberale të perceptuara nga ju e miqtë tuaj brenda kupolës komuniste të kohës? - Çfarë mund të na tregoni ndonjë detaj që ilustron sjelljet apo karakteret e ndonjërit prej krerëve të lartë të Byrosë, me të cilët ju është dashur të punoni, në mënyrë më të spikatur? - Ndonjë moment nga puna në zyrat e PPSH, Rinisë ( BRPSH) etj?
Në fund të viteve '80, duke qënë në oganizatën e rinisë, e kam pasur shumë të vështirë të identifikoja rrymat konservatore e liberale në udhëheqjen e PPSH. Nuk më është dhënë rasti të jem pjestar i asnjë forumi politik, siç ishin Sekretariati i KQ të PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, Presidiumi i Kuvendit Popullor apo Qeveria Komuniste e kohës. Nga pozicioni jashtë tyre, si Sekretar rinie unë i analizoja rrymat në atë udhëheqje shumë të mbyllur ndaj rinisë, vetëm nëpërmjet informacioneve, takimeve publike, shtypit apo ndonjë qëndrimi që lidhej vetëm e vetëm më punën e problemet e rinisë. Në mënyrë direkte varesha nga Foto Çami. Ai ishte një njeri i butë, me kulturë të gjërë, dëgjonte shumë, ishte i përmbajtur dhe me prirje intelektuale liberale. Me Foto Çamin konsultohesha më shpesh, sidomos kur dilja me delegacione jashtë shtetit. Në krah të tij më ndihmonte shumë profesor Agim Popa, gjithashtu njeri shumë pozitiv dhe mjaft i kulturuar. Me Ramiz Alinë janë shpeshtuar kontaktet e mia, kur filloi kriza politike në pjesën e dytë të vitit 1990. Por, edhe ato nuk zgjatën shumë, për arsye të përshpejtimit të ngjarjeve. Ndërkohë, miqtë e mi të asaj kohe ishin Ismail Ahmeti, Ministër Ndërtimi, Fahrudin Hoxha, Ministër Energjitike, Skënder Gjinushi, Ministër Arsimi, si dhe Alfred Uçi, Ministër Kulture e Dritëro Agolli, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve. Me to takoheshim shpesh dhe bisedonim në një frymë krejt tjetër nga ajo që karakterizonte udhëheqjen e lartë politike të kohës. Gjithë këto emra që përmenda, nuk shiheshin me admirim nga lidershipi konservator i PPSH. Të gjithë këto emra përfaqësonin njerëz shumë të ditur, me shumë përvojë, patriotë e modernë. Unë u jam mirënjohës tërë jetën atyre për rolin që kanë luajtur në atë kohë kritike për Shqipërinë.

Qëndrojmë tek Alia. A mund të thuhet se ai të paktën diti t'i japë një frymë liberalizuese të gjithë rrugëtimit në krye të shtetit deri në ardhjen e demokracisë dhe se të paktën, në krahasim me kolegët e tij brenda byrosë, ai mbetej zgjedhja më e mirë në këtë rast?
Ramiz Alia ishte trashëgimi e udhëheqjes së Enver Hoxhës. Ishte më i ulët se Hoxha si profil. Ishte më pak i ditur dhe më pak i lexuar se Hoxha. Por ishte njëkohësisht më tolerant, më i qetë dhe më elastik. Stili i tij qeverisës ishte ambig. Ambiguiteti e ndihmonte për të manovruar midis konservatorëve brutalë e injorantë dhe liberalëve të pakët e të trembur. Ai mban përgjegjësi historike për vonimin e procesit të demokratizimit, për moskonsiderimin e mendimeve alternative që i vinin nga brenda e nga jashtë, për kurajo të kufizuar në ndërmarrjen e kthesave të mëdha, për paqartësi, konfuzion, mungesë vizioni dhe frymë e filozofi tërësisht Lindore. Gjykoj se ishte i fundit udhëheqës tipik Lindor në Evropë. Por tip Lindor më pranë formatit çek, hungarez a polak, sesa i formatit sovjetik. Unë, një pjesë e kuadrove të Qeverisë, mjaft intelektualë e gazetarë kemi pasur shumë më tepër pritshmëri nga Ramiz Alia. Të gjithë kemi përjetuar zhgënjim prej tij.

Si u pritën lëvizjet e para demokratizuese në Bllokun Sovjetik në Tiranë dhe a pati përpjekje për t'iu bashkuar përpjekjeve të Gorbaçovit, apo ato e kishin rrugën të mbyllur deri në fund të regjimit?
Shpalosja e dy dokumentave të Gorbacovit, "Perestrojka" dhe "Gllasnosti" mbetën shumë sekrete në Shqipëri. Unë i pata lexuar imtësisht nga azhanset që na jepte ATSH. Mbas këtyre dy dokumentave publike, Gorbaçovi shpërndau më pas edhe një letër, që njihet si "Projekti i Katovicës". Kjo letër është mbajtur strikt në duart e liderit kryesor, Ramiz Alia. As ATSH nuk na e ka shpërndarë siç ndodhte me lajmet e tjera ndërkombëtare që nuk botoheshin për publikun. Pas viteve '90-të, jam njohur me letrën e Katovicës, që ishte projekt i përbashkët i udhëheqjes së PK të BRSS dhe KGB. Për mendimin tim, Ramiz Alia më shumë iu referua në rolin e tij modelit të Katovicës sesa dy dokumentave të hapur të Gorbacovit, "Perestrojkës" dhe "Gllasnostit". Ky vlerësim i Katovicës më shumë sesa i reformave të hapura të Gorbaçovit, të shpie në konkluzionin se Ramiz Alia ka qënë edhe pjesë e shkollës së KGB. Në mos direkt i rekrutuar, ka qënë preferues i stilit të drejtimit të KGB mbi Partinë. Ky është deduksion imi analitik dhe jo faktik, nisur nga analiza krahasuese e qëndrimit të Alisë ndaj tre dokumentave, "Perestrojkës", "Gllaznostit" dhe "Letrës së Katovicës", ndër të cilat Alia ndoqi më së shumti orientimet e kësaj të fundit, ku roli e ndikimi i KGB ishte më i madh.

Po fakti se Berisha, dje një ish-Sekretar partie, sot kryedemokrat, përbën ndonjë element intrigues për ju? Si e shihni sot qeverisjen "Berisha" dhe tipologjinë e karakterit të tij, meqenëse ju jeni nga e njejta krahinë?
Unë e kam njohur Berishën shumë vite përpara se ai të përfshihej në politikën e lartë. E kam njohur si mjek dhe e kam admiruar për profesionalitetin, korrektesën dhe respektimin e lartë të betimit të Hipokratit për mjekun. Më pas e kam takuar shpesh në spital, në Hotel "Dajti" ku kemi pirë kafe, në zyrën time të rinisë. Kam konstatuar herët tek ai pasion të madh për politikën. Ishte dinamik, pasionant, me temperament dhe mjaft karizmatik për të bërë miq e për të ndikuar mbi bashkëfolësit. Për jetën e tij si Sekretar Partie nuk di asgjë. Kemi qënë shumë larg dhe nuk na lidhte asgjë. Gjatë tërë fazave nga fillimi i dhjetorit deri në zgjedhjen e tij President, kemi qënë në konktakte personale shumë frekuente dhe mjaft miqësore. Pastaj puna ime jashtë si ambasador dhe si diplomat në lëvizje, na largoi së tepërmi. Miqësinë dhe komunikimin e kemi ruajtur deri vonë, jashtë dhe pavarësisht nga diferencat politike në thellim të vazhdueshëm midis nesh. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se gjithë ky tranzicion i gjatë mban një emër - Sali Berisha, me gjithë dritë-hijet e tij. Liderët e tjerë kanë qënë profile më të ulta, me më pak ndikim dhe me më pak mbështetje individualisht. Asnjëri nuk i ka dhënë emrin kohës deri tani më shumë sesa Sali Berisha. Natyra ime, tipi im, preferenca ime politike dhe mënyra e sjelljes dhe komunikimit tim publik e mediatik që në tërësi më dallojnë, janë të ndryshme dhe në mjaft raste të kundërta me Sali Berishën. Berisha është karakter malësori me temperament të lartë. Në malsinë e Tropojës ka edhe tipik malësor të urtë e të përmbajtur. Të dy këto tipe ekzistojnë në malësinë e Tropojës. Berisha është kolorik, reagues i menjëhershëm, i ashpër, këmbëngulës, kokëfortë, insistues që nuk tërhiqet nga e vetja kollaj, i zgjuar deri në dinakëri, lexues e i ditur, i mirëorganizuar e punëtor i palodhur, karizmatik në komunikimet populiste dhe manipulator i mediave dhe komunikimeve ndërkombëtare. Berisha është lojtar i fortë dhe i qartë politik, por është shtetar i dobët dhe kaotik. Stili i tij qeverisës është autokratik. Mbi vehte nuk lejon askënd, edhe nëse shkel me dy këmbët pavarësinë institucionale e kushteuese. Vuan nga narcizizmi. Më parë ka qënë shumë etik, pra ka respektuar Hipokratin. Tani e ka humbur shumë etikë dhe po respekton hipokritin. Berisha ka ndryshuar, mjerisht jo ashtu siç do dëshiroja unë. Mund të kenë ndikuar për keq edhe faktorë shumë pranë tij, që unë nuk i identifikoj dot. Gjykoj se për vetë Berishën do ishte mirë të mendonte një tërheqje të butë nga politika. Çdo ditë që po kalon, po e rëndon. Çdo vonesë në tërheqje e kërcënon. Çdo kohë që ecën errëson edhe kontributin e tij. Sa më shpejtë t'i hapë rrugë procesit, aq më shumë e aq më mirë koha do i ndriçojë edhe kontributet e tij. Në politikë ka më shumë rëndësi menyra sesi largohesh, sesa mënyra sesi futesh. Berisha ka hyrë me dinjitet. Por, po nuk u tërhoq butë, do largohet pa dinjitet. Largimi pa dinjitet mund të errësojë hyrjen me dinjitet në politikë. Vepra e fundit në histori është prevaluese mbi gjithçka që politikani ka bërë më parë.

*Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com (print), data 1 shkurt 2013

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë