Në protestën e dhunshme të opozitës që për herë të parë nisi teksa errësohej, rreth ors 18:00, veç efektivëve të lënduar dhe disa protestuesve, institucioneve të goditura me mjete të forta dhe tentativave për të sulmuar Parlamentin, janë dëmtuar edhe biznese rreth parlamentit, e po ashtu një makine i është vënë flaka. 

Forcat zjarrfikëse e kanë pasur të vështirë ndërhyrjen për të shuar flakët e makinës, e cila u shkrumbua. Kjo pasi rreth makinës qëndronin protestues, dhe frika ishte se mund të sulmohej edhe makina për shuarjen e flakëve. Pak minuta pas shpërthimit të flakëve, një mjet zjarrfikës u afrua te makina që po digjej, por një protestues e sulmoi duke i thyer fenerët ndriçues. Policia ndërhyri duke hedhur gaz lotsjellës, ndërsa më tej forcat zjarrfikëse shuan zjarrin, ku makina përfundoi e shkrumbuar. 

Në një reagim për djegien e makinës, Partia Demokratike tha se nuk janë protestuesit ata që i vunë flakën makinës tek Parlamenti. PD-ja pretendon se makina është lënë qëllimisht nga policia rreth Kuvendit, që më tej të akuzohen protestuesit.

"Ajo ishte e vetmja makinë e lënë në zonën e zbrazur nga çdo automjet tjetër përveç atyre të policisë dhe të medias. Kjo do të thotë se makina është lënë nga vetë policia, që ta digjnin vetë dhe të akuzonin protestuesit për zjarrvënie" thotë PD.

Makina është me targë AA 703 HT.

Gjatë tensioneve mes protestuesve të cilët kanë hedhur kapsolla dhe sende të forta në drejtim të policisë, këta të fundit janë përgjigjur me gaz lotsjellës. Protestuesit në tentativë për tu larguar kanë shkaktuar rrëmujë ku kanë thyer edhe një xham të një biznesi afër Kuvendit. Pas këtij incidenti kanë reaguar pronarët e biznesit të dëmtuar ku ka patur edhe një konfrontim fizik mes tyre dhe protestuesve.