Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizim për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Partia Demokratike dhe kryeparlamentari Niko Peleshi më herët janë përfshirë në debate sa i takon USB-ës, e cila është kyçur në kasafortën e protokollit me argumentin se materialet janë sekret hetimor. Gjatë mbledhjes pritet të diskutohet, edhe me prokurorët e SPAK, se si do të trajtohen këto materiale.
Ndërkohë, në relacionin e dorëzuar në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut, SPAK rendit edhe arsyet se përse kërkon arrestimin e saj. Balluku dyshohet se ka manipuluar 12 tenderë me vlerë 1.2 mld euro, u ka bërë presion dëshmitarëve dhe rrezikon të bëjë krime më të rënda për shkak të personalitetit, renditet në relacionin e SPAK.
Në mbledhjen e sotme, zv.kryeministrja ka të drejtë të paraqitet vetë ose me avokat mbrojtës për t'u mbrojtur. Ndërkohë, në mbledhje marrin pjesë dhe prokurorët e SPAK që paraqesin provat se pse duan ta arrestojnë zëvendëskryeministren që ka edhe mandat deputeti.
Në të shkuarën, Këshillit i janë dashur të paktën 2 mbledhje për të shqyrtuar kërkesën.
Rregullorja e Kuvendit nuk ka afat se kur duhet ta mbyllë shqyrtimin. Nga mbledhja e fundit e Këshillit, janë maksimumi 2 javë kohë për hartimin e raportit, i cili duhet të votohet në seancën më të parë.
Ligji ka vetëm një parashikim 3 mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret një vendim, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.
Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit të Ballukut, ndërkohë nuk mori në shqyrtim ankesën për pezullimin mga detyra, për t’i dhënë kohë Kushtetueses për tu shprehur për ankimin e kryeministrit Rama. Gjykata Kushtetuese e ktheu Ballukun në detyrë, deri më shqyrtimin e ankimit të qeverisë, që kërkon zgjidhjen e kompetencave me GJKKO-në.
Balluku është e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe 450 milionë euroshe. Ajo dyshohet se ka përcaktuar fituesit edhe të 3 tenderave të tjerë. Bëhet fjalë për koncesionin e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar më shumë se 245 mln euro nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, tenderin e rrugës Porto Romano-Durrës 12 mln euro dhe mirëmbajtja e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.

Komente













Spaku duhet te zhvilloje aksione kunder korrupsionit në drejtësi, pse? Po veprojnë si grup i strukturuar kriminal avoketer, ekspertë, prokurore e gjyqtare në gjyqet kunder OSHEE dhe ARRSH. Çdo proces shkon mbi 500 mijë euro duke u sajuar si raste aksidentale. Madje Gjykatat po i japin vendimet te ekzekutueshme qe në shkallë te parë pa u gjykuar ende në Apel pra pa marrë vendimi formë te prerë. Për më tepër as Gjykata e Apelit, as ILD e për më tepër Gjykata e Larte nuk po ndërhyn në këtë masakër te vjedhjes se prave publike nga ky grup kriminalI bëj thirrje Edi Ramës ta analizojë këtë fenomen e shohe qe fstura e vjedhjes dhe korrupsionit në këtë skemë mund ti kalojë 50 milion euro në vit
Përgjigju