Ishte shpresuar në një fitore dhe, bashkë me të, edhe një një kualifikim historik, por që sidoqoftë, nuk u arrit dot. Kjo sepse Tirana u eliminua nga Liga Ballkanike e basketbollit për meshkuj që në fazën e parë të saj, atë të grupeve.

Humbja me shifrat 83-100 në shtëpi me maqedonasit e Karposh Sokoli nuk u jep më shpresë bardhebluve debutues për turin tjetër edhe pse duhet të luajnë përballjen e fundit javën e ardhshme në fushën e Pejës.

Basketbollistët e Tiranës e nisën mirë sfidën, por pas pushimit gabuan shumë, duke u dhënë mundësi kundërshtarëve të thellonin epërsinë në dy pjesët e fundit. Madje as 19 pikët e amerikanit Grifin Ramé nuk shërbyen dje për të marrë rezultatin që kërkohej.

Takimi i luajtur në “Fahrie Hoti” ka qenë i barazpeshuar në pjesën e parë, me të dyja ekipet që rivalizuan fort mes tyre. Fitorja e miqve nga Maqedonia u vulos në pjesën e tretë, ku u shkëputën dhe arritën një fitore të merituar, që i kualifikon më tej.

Përtej  rezultatit në sallën sportive “Fahrie Hoti” u krijuar një atmosferë e jashtëzakonshme nga përkrahësit e bardhebluve, që nuk lanë vend bosh në shkallët e këtij mjedisi sportiv. “Tirona Fanatics” kanë mbështetur me koret e tyre ekipin e zemrës në një ritëm e pa u ndalur përgjatë katër periodave.  

Për Tiranën, kjo ishte humbja e 6-të në këtë turne, ku ka vetëm 3 fitore, të gjitha ndaj ekipeve të Kosovës.
Megjithatë përvoja e fituar në këtë turne, ishte e mirë dhe padyshim që do t’u vlejë bardhebluve. 

Redaksia Online
K.M/Shqiptarja.com