TIRANË - Derbi i kryeqytetit në basketboll për vajza dhuroi spektakël dhe emocione të enjten në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”, ku Partizani triumfoi ndaj Tiranës me rezultatin 79-71 pas kohës shtesë, në ndeshjen e pestë gjysmëfinale të Play-Off-it.
Me këtë fitore dramatike, Partizani përmbysi serinë e ndeshjeve në 3-2 dhe siguroi një vend në finalen e madhe për titullin kampion, ku do të përballet me Flamurtarin.
Takimi nisi më mirë për Tiranën, që dominoi periodën e parë me rezultatin 16-8. Partizani reagoi në periodën e dytë, duke e fituar 21-16 dhe duke mbajtur gjallë ndeshjen. Vajzat e kuqe përmbysën gjithçka në periodën e tretë, ku triumfuan 20-13 dhe morën avantazhin.
Megjithatë, Tirana nuk u dorëzua dhe fitoi periodën e katërt 21-17, duke çuar sfidën në barazim 66-66 dhe duke detyruar zhvillimin e kohës shtesë. Në minutat vendimtare, Partizani tregoi më shumë qetësi dhe forcë, duke dominuar shtesën me rezultatin 13-5 dhe duke vulosur fitoren finale 79-71.
Kështu, Partizani mbyll me sukses serinë gjysmëfinale dhe tashmë synon titullin kampion në përballjen finale kundër Flamurtarit.
Komente










