Shqipëria ka nevojë të zhvillojë kapacitetet e saj dhe të implementojë ligjin për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Është kjo këshilla që vjen nga Benoit Battistelli, drejtor i Zyres Europiane të Patentave e cila zhvilloi këtë të enjte në Tiranë takimin e saj vjetor me pjesëmarrjen e mbi 35 vendeve. Në një intervistë për Report TV, Battistelli thekson se patentat janë një mjet i rëndësishëm për të tërhequr investime të huaja në Shqipëri.

Mendoj gjithashtu që është e rëndësishme që Shqipëria të ketë një politikë moderne sa i përket pronësisë intelektuale dhe tashmë ligji që u miratua pritet të implementohet. Sepse duhet ta kuptoni që gjithnjë e më shumë investitorët e huaj po shohin elementë të ndryshëm për të vendosur se ku do të investojnë, natyrisht përmasat e tregut, kualifikimi i fuqisë punëtore dhe infrastruktura janë elementë të rëndësishëm.

Por edhe pronësia intelektuale po bëhet një element gjithnjë e më i rëndësishëm, dhe një investitor nuk do të investojë në një vend nëse ka ndjesinë që pronësia e tij intelektuale nuk mund të mbrohet. Ndaj duke qënë anëtare e EPO-së, Shqipëria është në pozicionin më të mirë të mundshëm sa i takon mbrojtjes së pronësisë intelektuale çka mendoj se është një avantazh edhe për ekonominë shqiptare.
 
 Battistelli thekson se pak aplikime nga kompanitë apo shpikësit shqiptarë për patentat europiane megjithatë se ka kandidatë për të marrë patent në fushën e mjekësisë, madje në trajtimin e kancerit. Madje ai thekson se shumë shpejt organizata do të ofrojë lehtësi financiare që do të mund ti ndihmojnë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme apo shpikësit individualë shqiptarë.

Mendoj se do të ishte më e drejtë të thonim se ka patur pak aplikime por jo aq shumë, dhe njëri prej tyre është pikërisht në fushën mjekësore për trajtimin e kancerit. Por sërish e theksoj që ky është proces në zhvillim dhe kam besim që do të shohim progres shumë shpejt. Është e qartë se Shqipëria është një ekonomi në zhvillim dhe është pjesë e atyre vendeve që mund të ecin me ritme të shpejta….jam i bindur që Shqipëria ka një potencial të madh.

Së shpejti do të lançojmë atë që quhet patenta unitare që do të jetë e vlefshme edhe për aplikantët shqiptarë e cila do të reduktojë koston e patentave me 80 % çka përbën një ulje dhe thjeshtësim të madh.

Kreu i Zyrës Europiane të Patentave shprehet se është e nevojshme që ti shpjegohet edhe më shumë kompanive, veçanërisht SME-ve dhe universitetet mbi rëndësinë e mbrojtjes ligjore të shpikjeve të tyre.
 
Është e rëndësishme që të rritet ndërgjegjësimi ndërmjet SME-ve dhe universiteteve në Shqipëri, mbi rëndësinë e mbrojtjes ligjore të shpikjeve të tyre.
 
 
Drejtoria e Përgjithshme e Markave dhe Patentave në bashkëpunim me Zyrën Europine të Patentave po organizojnë sot në Tiranë takimin vjetor në të cilin marrin pjesë 38 vende.
 
 Z.Battistelli, faleminderit për këtë intervistë.
Së pari do të doja tju pyesja se si qëndron Europa në krahasim me rajonet e tjera në botë, veçanërisht SHBA-të dhe Azinë. A jemi larg këtyre rajoneve përsa i përket aplikimit për patenta?

Së pari do të doja të përshkruaja EPO-në, Organizatën Europiane të Patentave. Ne jemi një organizatë europiane e pavarur me 38 shtete anëtare, pra një Europë e madhe që shkon nga Islanda deri në Turqi dhe nga Finlanda deri në Portugali me një treg prej 350 milion banorë. qëllimi ynë që që të lëshojmë patenta të cilat janë të vlefshme në të gjitha shtetet anëtare dhe Shqipëria u anëtarësua në organizatë rreth 5 vite më parë, pra në 2010. Jemi shumë të kënaqur që jemi sot këtu në Tiranë për takimin tonë të korporatave ku janë mbledhur mbi 100 pjesëmarrës. Falë kësaj organizate që u krijua 40 vite më parë, Europa po luan një rrol të rëndësishëm në sistemin botëror të patentave. Ne arrijmë të krahasojmë veten sa i përket numrit të patentave me zyrat më të mëdha në botë, si ajo amerikane apo japoneze. Gjithashtu mund të them se kemi një influencë të madhe në çështjet teknike dhe madje po zhvillojmë mjete të reja veçanërisht në fushën e IT-së që do të jenë standarte botërore. Pra ne jemi zëri i Europës në fushën e patentave. Pra Europa jo vetëm që krahasohet pozitivisht me Kinën, Japoninë apo SHBA-të por tashmë ka një rrol drejtues.
 
Cilat janë fushat e teknologjisë ku ka më shumë aplikime në organizatë, në cilën prej tyre mbizotëron Europa?

Ne mbulojmë të gjitha fushat teknike por fusha ku marrim më shumë aplikime është ajo e teknologjisë mjekësore, por kemi influencë edhe në komunikimin dixhital, telekomunikacion. Gjithashtu mund të përmend edhe transportet që përfshin industrinë e automjeteve, aeronautikën, transportin ajror dhe atë hekurudhor. Nuk do të lija pa përmendur teknologjinë e pastrimit dhe atë mjedisore si dhe në fushën e farmaceutikës dhe bioteknologjisë.
 
Kur mund të aplikojë një shpikësh apo kompani shqiptare për një patentë europiane?

Që në fillim, dhe kemi patur disa aplikime dhe patenta që i janë dhënë shpikësve shqiptarë. Natyrisht kanë kaluar vetëm 5 vjet që kur Shqipëria u bë anëtare dhe ajo ende duhet të zhvillojë kapacitetet e saj (IP) të pronësisë intelektuale. Kemi marrëdhënie shumë të mira me Zyrën shqiptare të patentave dhe markave dhe po e zhvillojmë më tej bashkëpunimin tonë në disa fusha, e para ka të bëjë me trajnimin e ekspertëve, e dyta ka të bëjë me ndihmën ndaj autoriteteve shqiptare. Ju e dini që një ligj i ri është miratuar së fundmi për pronësinë intelektuale i cili u përgatit në bashkëpunim edhe me ne. Dhe së treti ne ndihmojmë zyrën shqiptare që të zhvillojë atë që e quajmë aktivitetet mbi patentat që kanë të bëjnë përshembull me aktivititetet në universitete ku organizohen takime me kompanitë për ti shpjeguar atyre që patenta do të jetë e dobishme dhe do ti ndihmojë ata që të kenë avantazhe konkuruese në krahasim me konkurentët e tyre. Mendoj gjithashtu që është e rëndësishme që Shqipëria të ketë një politikë moderne sa i përket pronësisë intelektuale dhe tashmë ligji që u miratua pritet të implementohet. Sepse duhet ta kuptoni që gjithnjë e më shumë investitorët e huaj po shohin elementë të ndryshëm për të vendosur se ku do të investojnë, natyrisht përmasat e tregut, kualifikimi i fuqisë punëtore dhe infrastruktura janë elementë të rëndësishëm. Por edhe pronësia intelektuale po bëhet një element gjithnjë e më i rëndësishëm, dhe një investitor nuk do të investojë në një vend nëse ka ndjesinë që pronësia e tij intelektuale nuk mund të mbrohet. Ndaj duke qënë anëtare e EPO-së, Shqipëria është në pozicionin më të mirë të mundshëm sa i takon mbrojtjes së pronësisë intelektuale çka mendoj se është një avantazh edhe për ekonominë shqiptare.
 
Ju thatë që Shqipëria ka nevojë të zhvillojë kapacitetet e saj, çfarë nënkuptoni saktësisht me këtë? Ku ka më shumë mangësi Shqipëria?
Ju keni nevojë ti shpjegoni edhe më shumë kompanive, veçanërisht SME-ve që shpesh mendojnë se është shumë e komplikuar dhe e kushtueshme dhe procedurë e gjatë për të marrë një patentë ndaj dhe nuk bëjnë përpjekje. Ndaj ato duhen bindur që kjo është mënyra më e mirë për të përmirësuar produktet e tyre, për tu bërë më konkurues dhe për të patur më shumë shanse në tregun europian. Padyshim që ky objektiv kërkon kohë, ekspertë të mirë dhe këtu vjen edhe ndihma jonë ndaj zyrës shqiptare të patentave. Trajnimi i parë që bëjmë është për stafin dhe më pas ndihmojmë në organizimin e evenimenteve për të dhënë pikërisht këtë mesazh. Por objektivi nuk janë vetëm kompanitë por edhe universitetet dhe qendrat e kërkimit. Kjo vlen për çdo vend të Europës. Shohim se vendet më të suksesshme janë pikërisht ato që kanë lidhjet më të mira mes qendrave të kërkimit dhe industrisë dhe në këtë drejtim, shoh që ka një përmirësim në Shqipëri.
 
Ju thatë që ka patur disa aplikime nga Shqipëria. Ku është fusha kryesore e teknologjisë ku spikasin aplikuesit shqiptarë?
Mendoj se do të ishte më e drejtë të thonim se ka patur pak aplikime por jo aq shumë, dhe njëri prej tyre është pikërisht në fushën mjekësore për trajtimin e kancerit. Por sërish e theksoj që ky është proces në zhvillim dhe kam besim që do të shohim progres shumë shpejt. Është e qartë se Shqipëria është një ekonomi në zhvillim dhe është pjesë e atyre vendeve që mund të ecin me ritme të shpejta. Duhet të kuptojmë që madhësia e një vendi nuk është aspak e rëndësishme për patentat. Ne kemi vende shumë të vogla, siç janë vendet nordike për shembull, të cilat janë vende të vogla. Pra nuk ka të bëje me madhësinë e vendit, por me aftësinë për të zhvilluar inovacionin e një vendi dhe jam i bindur që Shqipëria ka një potencial të madh.
 
Shumë kompani dhe shpikës shqiptarë ankohen për nivelin e lartë të kostos së patentave në Zyrën Europiane të Patentave. A është e mundur që të reduktohet barra financiare për kompanitë e vogla apo shpikësit e vetëm?
Së shpejti do të lançojmë atë që quhet patenta unitare (unitary) që do të jetë e vlefshme edhe për aplikantët shqiptarë e cila do të reduktojë koston e patentave me 80 % çka përbën një ulje dhe thjeshtësim të madh. Së dyti, dhe këtë e diskutova edhe me ministrin e ekonomisë ka të bëjë me kërkimin, një prej fazave të aplikimit. Pra kërkimi që duhet të bëjë çdo shpikës apo kompani për tu siguruar që është një produkt i ri krahasuar me njohuritë në të gjithë botën. Ndaj dhe EPO po prodhon edhe raportet e veta të kërkimit të cilat do ti ofrohen aplikantëve shqiptarë me kosto të reduktuar kur bëhet fjalë për Sipërmarrje të vogla apo të mesme, universitete, qendra kërkimi apo edhe shpikës të vetëm. Ndaj kemi ndërmend që të reduktojmë koston e këtyre raporteve me 75 %.
 
Dhe një pyetje të fundit. Kush vendos për Çmimin Shpikësi Europian dhe a ka ndonjë propozim për kandidatë nga Shqipëria?
Ky është një konkurs i hapur në të gjithë Europën dhe në mbarë botën. Këtë vit kemi marrë më shumë se 400 kandidatura dhe kemi një juri ndërkombëtare që vendos e përbërë nga shpikës dhe personalitete të larta në fushën e industrisë, akademikë dhe nga media gjithashtu. Është pikërisht kjo juri që përzgjedh kandidatët dhe fituesit. Më duhet të pranoj se nuk jam në dijeni që të ketë kandidatë shqiptarë këtë vit por shpresoj shumë që të ketë vitin tjetër.
 
Faleminderit shumë

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)