Grupimet “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor” do t'i drejtohen sot, më 5 nëntor, Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar tre akte të qeverisë, të cilat, sipas tyre, cenojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Në orën 14:00, studentët do të depozitojnë tre ankime të nënshkruara së bashku me katër organizata të shoqërisë civile: Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania.
Në qendër të kundërshtimeve është akti normativ nr. 5/2026, i cili, sipas studentëve, i jep policisë të drejtën të ndalojë ose kufizojë protestat pranë institucioneve, të largojë qytetarët nga “zonat e mbrojtura”, të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe të vendosë gjoba deri në 500 mijë lekë.
Akti i dytë që kundërshtohet është ai me nr. 6/2026, i cili, sipas grupimeve, i bën organizatorët përgjegjës solidarisht për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë gjatë protestave të tetorit, si dhe parashikon gjoba për veprime të kryera përpara vendosjes së këtyre sanksioneve.
Ndërsa VKM-ja nr. 815/2026, sipas tyre, krijon një regjistër policor në prokurori, mbi bazën e të cilit një personi mund t'i refuzohet dalja jashtë vendit pa vendim gjykate. Studentët pretendojnë gjithashtu se akti parashikon njoftimin e shtetit ku personi udhëton, si edhe të hoteleve ku qëndron.
“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat”, thuhet në deklaratën e dy grupimeve studentore.
Ata kundërshtojnë edhe qëndrimin e qeverisë se paketa mbron protestat paqësore dhe se përgjegjësia për shkeljet është individuale. Sipas studentëve, masat e parashikuara mund të ndëshkojnë edhe qytetarë që nuk kanë ushtruar dhunë.
Përmes ankimeve, studentët dhe organizatat kërkojnë që Gjykata Kushtetuese t'i shqyrtojë çështjet me përparësi dhe të pezullojë dispozitat për të cilat është kërkuar pezullim, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Ata i kanë kërkuar gjithashtu Gjykatës që, në rast se aktet normative miratohen nga Kuvendi, kontrolli kushtetues të shtrihet edhe mbi ligjin miratues.
“Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t'u trajtuar si armik”, shprehen studentët në deklaratën e tyre.
Deklarata e plot







Komente
Komento