PRISHTINE, 12 Shkurt/ATSH/-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten ministren për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale të Bavarisë, Beate Merk.
Kryeministri Mustafa dhe ministrja Merk kanë biseduar për proceset aktuale, për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Kosovës dhe Landit të Bavarisë dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për çështjen e migrimit të qytetarëve të Kosovës kohëve të fundit dhe trajtimin e azilkërkuesve në Landin e Bavarisë.
Ministrja Beate Merk informoi për ndryshimet që janë bërë në legjislacionin e Bavarisë dhe ndalimin e përkrahjes financiare si dhe për faktin se kërkesat për azil të kosovarëve do të procedohen brenda dy javësh.
Gjatë takimit, po ashtu u bë e ditur se azilkërkuesit kosovarët do të kthehen pasi që Kosova është një vend i sigurt dhe se kosovarëve nuk iu takon e drejta për azil.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të pritur dhe për riintegrimin e qytetarëve të Kosovës që do të kthehen, duke folur edhe për angazhimet konkrete dhe reformat që po ndërmerren në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e perspektives për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Mustafa dhe ministrja Merk, në kuadër të përkrahjes dhe bashkëpunimit me Landin e Bavarisë, biseduan edhe për mundësitë e punësimit sezonal, trajnimit dhe aftësimit profesional të qytetarëve të Kosovës./a.g/