SHBA - Bayern Munich ka dhuruar një spektakël golash në debutimin e tyre në Kupën e Botës për Klube, duke mposhtur bindshëm 10-0 skuadrën neozelandeze të Auckland City. Ndeshja u zhvillua në “TQL Stadium” të Cincinnatit, ku kampionët e Gjermanisë dominuan nga fillimi në fund.

Që në minutat e para, bavarezët treguan forcën e tyre, duke realizuar me Kingsley Coman, Sacha Boey dhe Michael Olise. Coman dhe Olise do të kompletonin dopietat e tyre brenda pjesës së parë, ndërsa Thomas Muller shënoi gjithashtu për të thelluar shifrat.

Në pjesën e dytë, protagonisti kryesor ishte Jamal Musiala, i cili realizoi tre gola, duke kompletuar një “tripletë” personale dhe duke vulosur fitoren spektakolare të skuadrës gjermane.

Bayern do të zhvillojë ndeshjen e radhës më 21 qershor ndaj gjigantëve argjentinas të Boca Juniors, në një duel që pritet me interes të lartë. Për ekipin nga Zelanda e Re në fushë për 90 minuta luajti edhe mbrojtësi shqiptar Regont Murati.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:39
Pjesë e skuadrës nga Zelanda e Re, kush është shqiptari që debutoi në Kupën e Botës për Klube

Regont Murati, shqiptari i lindur në Pejë dhe me banim në Zelandën e Re ka debutuar në Kupën e Botës për Klube. Mbrojtësi 29-vjeçar është pjesë e Auckland City prej vitesh, teksa ka dalë nga moshat e këtij ekipi.

Murati luajti si titullar në krahun e djathtë të prapavijës në ndeshjen kundër Bayern Munich duke qenë në fushë gjatë 90 minutave në sfidën e cila në fakt u kthye në një stërvitore për bavarezët, të cilët triumfuan me shifrat 10-0.

Pas Muratit është radha e Kristjan Asllanit të Interit dhe Adrian Bajramit të Benficas që të luajnë në Kupën e Botës për Klube.

Ora 11:47
Punon në depo farmaceutike, njihuni me portierin që luajti kundër Bayern Munich dhe pësoi 10 gola: M'u desh të sakrifikoja

Portieri i Auckland City, Conor Tracey, punon në një rol mbikëqyrës në një depo furnizimesh veterinare, duke mbikëqyrur shpërndarjen e produkteve farmaceutike, të ushqimit dhe të barnave të kontrolluara për veterinerët në të gjithë Zelandën e Re.

Para ndeshjes së djeshme ndaj Bayern Munich ai tha: "Më është dashur të bëj një kombinim të pushimit vjetor dhe pushimit pa pagesë. Të luaj kundër Bayern, Benfica dhe Boca, ia vlen 100%." Pavarësisht humbjes, ëndrra e tij u bë realitet pasi luajti kundër idhullit të tij Manuel Neuer.

28-vjeçari bëri shtatë pritje në një ndeshje të vërtetë si Davidi kundër Goliathit. Në fund Bayern Munich fitoi 10-0, por gjithë ekipi i Auckland është krenar për pjesëmarrjen në këtë nivel të Kupës së Botës për Klube.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 12 Korrik, 10:16

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?