Gjykata e Tiranës la në qeli pa afat Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, të cilët u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeti”, si pjesë e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municione në Tiranë.
Përveç tyre në kërkim u shpallen Kevin Vila dhe Bledar Avdillari. Gjatë operacionit, atyre iu gjetën dhe sekuestruan 4 pistoleta dhe 3 kallashnikovë me vlerë 1500 dhe 2500 euro, municione, celularë dhe sende të tjera me vlerë për hetimin.
Më herët janë vënë në pranga Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmeti dhe Klodian Mustafa, pjesë e të njëjtit grup.
Ky grup i goditur nga policia është vazhdim i hetimeve të operacioneve të mëparshme, për armë që kryesisht vijnë nga qytete të tjera të vendit dhe shiten në zona të ndryshme të Tiranës, sidomos në ‘Fresk’ dhe ‘Allias’. Policia thotë se gjatë gjithë periudhës hetimore të veprimtarisë kriminale të grupit, në total u arrestuan 9 persona, si dhe u sekuestruan 17 armë, 4 kallëpe tritol, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.
Komente







