Baza ligjore/ Hapat për strehimin politik të afganëve! Nga kërkesa për mbrojtje në kufi, gjurmët e gishtave, akomodimi, hetimi deri te përgjigjja përfundimtare 

Baza ligjore/ Hapat për strehimin politik të afganëve! Nga kërkesa për mbrojtje në kufi, gjurmët e gishtave, akomodimi, hetimi deri te përgjigjja përfundimtare 

Afgant duke u larguar nga vendi i tyre dhe çadrat ku do të akomodohen për kontrollet mjekësore në Shqipëri

Përpos vullnetit politik të qeverisë, rreshtimit në krah të SHBA dhe NATO-s, traditës së mikpritjes, besës etj., Shqipëria ka edhe një bazë të qartë ligjore për mbrojtjen dhe strehimin e refugjatëve politikë, në rastin konkret të disa afganëve që po përpiqen të shpëtojnë nga talebanët, të cilët tashmë kontrollojnë Afganistanin pas tërheqjes së forcave amerikane. Në 1 shkurt të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e ri për azilin, në bazë të direktivave të Brukselit dhe konventave ndërkombëtare. Ligji i jep të drejtë çdo të huaji të kërkojë strehim, mbrojtje dhe azil në Shqipëri, për shkak të frikës apo persekutimit për arsye politike,  të racës, të besimit fetar, të kombësisë, të anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror etj.

Parimi themelor i ligjit për mbrojtjen dhe azilin është ndalimi i dëbimit të çdo refugjati që hyn në Shqipëri, ku i kërcënohet jeta apo liria në vendin e tij, ku ka rrezik se mund t’i nënshtrohet torturës apo zhdukjes me forcë si dhe dëbimin në një shtet të tretë, siç është rasti konkret i afganëve, të cilët po largohen për t’i shpëtuar dhunës dhe arbitraritetit të talebanëve.

Nga ana tjetër, kushti bazë që një refugjat të kërkojë strehim, mbrojtje dhe azil në Shqipëri është persekutimi i tij në vendin nga ka ardhur.

Me persekutim do të konsiderohen rastet kur ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, kemi të bëjmë me akte të dhunës fizike, psikologjike dhe seksuale, me masa policore ose vendime gjyqësore diskriminuese, ndjekjes penale diskriminuese, me mohim të së drejtës për t’iu drejtuar gjykatës për rishikim të dënimit dhe ndjekjes penale për shkak të refuzimit për të kryer shërbimin ushtarak në një konflikt etj.

Gjithashtu, persekutim do të konsiderohen përndjekjet dhe rreziqet për shkak të racës, besimit fetat, kombësisë, grupit shoqëror dhe bindjeve politike. Do të përfitojnë azil edhe personat që mund të përballen me dënimin me vdekje apo ekzekutim, me tortura apo trajtim çnjerëzor dhe nga kërcënime të tjera të rënda në situata të konflikteve të armatosura.

Përjashtohet nga strehimi, statusi i refugjatit dhe nga azili të gjithë të huajit që kanë kryer krime kundër paqes, krime lufte ose krime kundër njerëzimit, që kanë kryer krime të tjera të rënda, që janë fajtorë për akte që bien në kundërshtim me parimet e Kombeve të Bashkuara dhe që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë në Shqipëri.

Si do të strehohen refugjatët politikë afganë

Fillimisht, shtetasit afganë të larguar nga vendi i tyre për të shpëtuar nga talebanët, duhet të shprehin verbalist ose në formë të shkruar kërkesën për mbrojtje ndërkombëtare, në momentin e hyrjes në territorin e Shqipërisë.

Personat përgjegjës për kufirin dhe migracionin regjistrojnë të gjitha kërkesat, të cilat i përcjellin brenda 72 orëve tek organet për azilin dhe refugjatët. Krahas administrimit të kërkesës, secilit refugjat i merren gjurmët e gishtave, fotografi, dëshmi etj.

Strehimi i menjëhershëm

Në momentin e regjistrimit të kërkesës për mbrojtje në pikën kufitare, i huaj, në rastin konkret, afganët, kanë të drejtë të qëndrojnë në Shqipëri, deri kur të marrin një përgjigje përfundimtare. Ata praktikisht janë të mbrojtur në Shqipëri.

Pas shprehjes së qëllimit për mbrojtje në pikën kufitare, çdo shtetas afgan akomodohet në Qendrën e Pritjes për Azil, në vendin e përcaktuar nga ministria ose në një vend tjetër sipas dëshirës së tij. Pas akomodimit në qendrat e pritjes, ata do t’i nënshtrohen vizitave të nevojshme mjekësore.

Më konkretisht, refugjatëve afganë do t’i ofrohen në qendrat e pritjes; akomodimi, ushqimi, sigurimi shëndetësor, kushtet minimale të higjienës dhe programe pedagogjike e edukuese, si dhe këshillim ligjor falas.

Shqyrtimi i kërkesave

Në fazën e kërkesës së refugjatit për mbrojtje, autoritetet shqiptare do të bashkëpunojnë ngushtë me Zyrën e Komisionerit të Lartë për Refugjatët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNHCR). Brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje, refugjati informohet në një gjuhë të cilën e kupton për procedurat, të drejtat, detyrimet dhe kushtet e pritjes.

Ndërkaq, procedura për përgjigjen përfundimtare për të pranuar ose jo kërkesën për mbrojtje dhe strehim politik në Shqipëri, zgjat 6 muaj, por për raste komplekse zgjat deri në 9 muaj.

Për të pranuar ose jo përfundimisht kërkesën për strehim politik, autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët, gjatë shqyrtimit të kërkesës, kryen një hetim bazuar në fakte dhe rrethana konkrete. Autoritetet shqiptare, për secilin rast, do t’i referohen një dosje, e cila përmban informacion të saktë mbi gjendjen që mbizotëron në Afganistan, deklarata dhe dokumente të paraqitura nga refugjati, duke përfshirë informacionin nëse kërkuesi ka qenë subjekt i persekutimit, rrethanat personale të refugjatit, si origjina, orientimi seksual, mosha etj., si dhe informacion mbi aktivitetet e kryera nga kërkuesi.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)