Bazat amerikane në Gjermani dhe krahu lindor i NATO-s

Bazat amerikane në Gjermani dhe krahu lindor i NATO-s

Ushtarë amerikanë

Për opinionin publik në Gjermani lajmi erdhi papritur. Në buxhetin e qeverisë së SHBA për vitin 2023 janë caktuar 506 milionë dollarë për bazat ushtarake në Gjermani, në landin federal jugperëndimor të Rheinland-Pfalzit. Mbi gjysmë miliardi dollarë do të investohen tani në bazat ushtarake amerikane në këtë land, Baumholder dhe Weilerbach.

Në atmosferën e luftës në Evropë, ky lajm u mirëprit nga shumë njerëz në Gjermani. SWR1, radioja kryesore publike e landit federal të Rheinland-Pfalzit, i hapi disa emisione radhazi lajmesh pikërisht me lajmin e investimeve amerikane. Ministri i Brendshëm i këtij landi, Roger Lewentz, deklaroi pas udhëtimit për këtë shkak në SHBA se "ky është projekti më i madh ushtarak jashtë SHBA."

Për se do të përdoren mjetet? Me 207 milionë dollarë, në bazën e Baumholderit do të ndërtohet një seli e re për stacionimin e trupave shtesë amerikane. Veç kësaj do të ndërtohen edhe shtëpi dhe shkolla për amerikanët. Ndërsa 299 milionë dollarë do të përdoren për të ndërtuar një spital të ri amerikan në Weilersbach. Ndërtimi do të fillojë këtë vit, në tremujorin e tretë.

Investimet e reja ushtarake amerikane në Gjermani dhe shkaqet

Bazat ushtarake amerikane në Gjermani do të kenë një "rritje të jashtëzakonshme të rëndësisë" si qendra për krahun lindor të NATO-s. Ky është mesazhi që solli nga bisedimet në SHBA, ministri i Brendshëm i landit të Rheinland-Pfalzit, Lewenz.

SHBA kanë pasur gjithmonë shumë trupa të stacionuara në Evropë: jo vetëm në Gjermani, por edhe në Itali, në Spanjë, në Belgjikë dhe së fundi dhe në Poloni. Në Poloni shkuan shumica e ushtarëve amerikanë që erdhën së fundi në Evropë: 7.000 ushtarë të rinj amerikanë duke e çuar në mbi 10.500, numrin e ushtarëve amerikanë atje.

Një numër në rritje ushtarësh të NATO-s janë stacionuar veç Polonisë edhe në një sërë shtetesh lindore, si në Shtetet Baltike Lituani, Letoni dhe Estoni. Në këto shtete NATO ka grupe luftarake të gatshme, si pjesë të të ashtuquajturës "Prania e Përparuar e Përmirësuar e NATO-s", që u krijua pas aneksimit të Krimesë.

Dislokimet më të reja të trupave të NATO-s janë në Rumani (3300 ushtarë), Sllovaki (2100 ushtarë), Bullgari (900 ushtarë amerikanë) dhe Hungari. Pas Polonisë, numër më të madh ushtarësh të NATO-s ka aktualisht Lituania (4000 ushtarë) dhe më pak Hungaria (800 ushtarë).

Njëkohësisht: SHBA mbështesin ndërtimin e bazave të NATO-s në shtetet e Lindjes të Evropës. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA, gjenerali Mike Milley u shpreh para Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve për ndërtimin e bazave të reja të NATO-s, p.sh. në Poloni apo në Shtetet Baltike. Por Milley propozoi që personeli i këtyre bazave të jetë me rotacion. Kështu do të kurseheshin shpenzimet për familjet dhe shkollat e ushtarëve amerikanë në shtetet lindore evropiane.

Gjermania - e rëndësishme si në "luftën e ftohtë" për amerikanët?

Në fundin e luftës së ftohtë në vitin 1991, në Gjermani ndodheshin të stacionuar pjesa më e madhe e ushtarëve të SHBA në Evropë: 224.000 ushtarë, nga 305.000 ushtarë amerikanë, që ndodheshin gjithsej në Evropë. Aktualisht në Gjermani janë rreth 35.000 ushtarë amerikanë. Por kemi një kthim në parimin bazë të mbrojtjes kolektive, nga NATO-ja. Kemi përfundimisht një kthim të madh të amerikanëve në Evropë.

Ky kthim nisi me aneksimin e Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Deri në këtë vit, prania amerikane në Evropë ishte e përqendruar në forcimin e strukturave të NATO-s. Me këmbëngulje SHBA kërkonin që aleatët të shtonin investimet për mbrojtjen.

Tani, brenda dy muajsh, numri i ushtarëve amerikanë në Evropë u rrit në 100.000 ushtarë, nga 80.000 ushtarë më parë. Ushtarët e rinj amerikanë vijnë jo vetëm nga forcat ajrore, por edhe nga Divizioni i Parë i Këmbësorisë, që ka luftuar së fundi edhe në Irak. Një pjesë tjetër e madhe e trupave të reja amerikane janë nga divizioni i 82-të ajror, i parashutistëve. Këta janë ushtarë që mund të ndërhyjnë në rast nevoje shumë shpejt në një zonë konflikti. Në Mesdhe dhe në Detin e Veriut NATO-ja ka stacionuar edhe grupe sulmi të aeroplanmbajtësve (Carrier Strike Group).

Për SHBA, Gjermania rifiton interes edhe për një arsye tjetër: me kthesën historike në Gjermani për të investuar më shumë se 2% të PBB gjerman për mbrojtjen, SHBA mund ta ndajnë më mirë me Gjermaninë barrën financiare dhe logjistike të NATO-s.

SHBA me vëmendje në Azi dhe në Evropë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA, Mark Milley deklaroi në Uashington se "tani kemi të bëjmë me dy fuqi botërore, Kinën dhe Rusinë, të dyja kanë kapacitete të konsiderueshme ushtarake dhe synojnë të ndryshojnë rrënjësisht rregullat e rendit aktual botëror”.

Milley tha se bota përballet me një konflikt që do të zgjasë "të paktën me vite", për të mos folur me dekada. Ky konflikt i kalon kufijtë e Ukrainës. Gjenerali i lartë amerikan foli për "rrezikun më të madh për paqen dhe sigurinë në Evropë dhe ndoshta në të gjithë botën", që kishte përjetuar ai në 42 vitet e shërbimit si ushtarak.

Në këto kushte kemi një rikthim të detyruar të amerikanëve në Evropë. SHBA shfrytëzojnë në këtë kuadër investimet ushtarake të bëra prej dekadash në Gjermani dhe bëjnë investime të reja. Jo vetëm kaq: pas vitit 2023, amerikanët pritet të bëjnë në Gjermani investime të tjera ushtarake, në shumën mbi një miliardë dollarë, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Rheinland-Pfalzit, Lewenz. Të detyruara nga sulmi rus kundër Ukrainës, SHBA po e riorientojnë mbrojtjen amerikane në Evropë./ Marrë nga Deutsche Welle

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Vrasja e 14 vjeçarit, shtohen efektivët e policisë në të gjithë shkollat e kryeqytetit

Tiranë/ Vrasja e 14 vjeçarit, shtohen efektivët e policisë në të gjithë shkollat e kryeqytetit