Shqipëria u përball me një risk të tillë pas krizës financiare botërore të vitit 2008 dhe iu drejtua Bankës Botërore për ndihmë. Rezultati i kërkesës qe një dorëzani (garanci) e mbështetur në politika, me vlerë 200 milionë euro, e cila e ndihmoi qeverinë të siguronte 250 milionë euro nga banka ndërkombëtare. Kjo pati rëndësi kritike për vendin, në mënyrë që të zvogëloheshin risqet e rifinancimit të një obligacioni me vlerë 300 milionë euro, në një kohë kur kërkesa në tregun e brendshëm kishte rënë për letrat afatmesme dhe afatgjata me vlerë të qeverisë, të emetuara në lekë.

Kjo deklaratë përmbahet në raportin më të ri lidhur me borxhin publik shqiptar, të publikuar nga Banka Botërore. Sipas tij, dorëzania arriti t’i përmbushte nevojat për financim të qeverisë dhe t’i minimizonte kostot e huamarrjes, me një kursim prej përafërsisht 120 milionë euro në formë interesash gjatë gjithë periudhës së kredisë, në krahasim me një emetim obligacioni individual.