/ATSH-MIA/ - Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi lidhur me opinionet e fundit të disa analistëve dhe subjekteve të vogla politike shqiptare në Maqedoni lidhur me Marrëveshjen e Ohrit.
"Marrëveshja e Ohrit deri më tani i ka dhënë rezultatet e veta pozitive në shumë sfera të veprimtarisë shoqërore, politike, ekonomike, sociale e kulturore, jo vetëm se në favor të shqiptarëve, por edhe të të gjithë shoqërisë në Republikën e Maqedonisë", thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI-ja në reagimin e saj thotë se "disa analistë dhe subjekte të vogla politike shqiptare të mos harrojnë se Marrëveshja e Ohrit ndryshoi rrënjësisht Kushtetutën e Maqedonisë, inkuadroi mijëra shqiptarë nëpër të gjitha sferat e administratës shtetërore, në ushtri dhe polici, madje edhe atje ku më herët as që mund të imagjinohej se mund të shkelte këmba e shqiptarit. Përmes Marrëveshje së Ohrit, u arrit e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare, e drejta e shkollimit të lartë, u avancua përdorimi i gjuhës dhe një sërë mundësish të tjera të cilat askush nuk mund t'i hedh poshtë".
"Marrëveshja e Ohrit, duke qenë një materie e gjallë dhe me mekanizma të shumtë të veprimit, natyrisht se në disa segmente ka shënuar ngecje të vogla, për të cilat kanë folur hapur deri më tani edhe përfaqësuesit më të lartë politikë të BDI-së", citohet në reagim.
"Bashkimi Demokratik për Integrim edhe njëherë inkurajon debatin e hapur dhe demokratik që po zhvillohet kohën e fundit te ne, por vlerëson se ai debat nuk është i shëndetshëm për shoqërinë tonë, nëse bëhet me tendenca negative dhe qëllime të ulëta të individëve të caktuar, të cilët përmes sulmeve ndaj një subjekti të fuqishëm politik, siç është BDI, tentojnë të faktorizojnë veten e tyre", thuhet më tej në reagimin e partisë.