BRUKSEL- Bashkimi Europian do të premtojë më shumë se gjysmë miliardë euro për të rindërtuar Malin, pas disa muajsh konflikti, në një konferencë me Donatorët Ndërkombëtarë në Bruksel.

Presidenti i KE-së, Jose Manuel Barroso, tha se kjo shumë do të ndihmonte shtetin afrikano-perëndimor të kthente “stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin”.

Konferenca që do të zhvillohet në Bruksel është e para, që kur Franca dërgoi trupat e saj ushtarake për të përzënë rebelët islamikë nga veriu i Malit, në muajin janar.

Qeveria e Malit ka një plan prej 4,3 miliardë eurosh për një rilindje totale të vendit e cila përfshin rindërtimin e institucioneve qeveritare dhe ushtarake, rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, organizimin e zgjedhjeve presidenciale, mbajtja e dialogut me grupet rebele në veri dhe stimulimin e ekonomisë.

Pas takimit me shefin e KE-së në Bruksel, presidenti i përkohshëm i Malit, Dioncounda Traore, tha se shpresonte që ndihma prej 2 miliardë eurosh do të rritej edhe më tepër në konferencën e donatorëve.

Nga ana tjetër Barroso shtoi se “ndihma do të sjellë përfitime për Europën, ashtu si dhe për Afrikën, pasi mbështetja e komunitetit ndërkombëtar është thelbësore për të ndërtuar një Mali të stabilizuar, demokratik dhe të sukseshëm”.

Më tej, ai tha se “BE-ja përshëndeti Planin e Tranzicionit, që synon krijimin e një kthimi të plotë të demokracisë dhe stabilitetit në vend, si dhe Planin për rimëkëmbjen e qëndrueshme të Malit, ku zyrtarët Malianë do t’i paraqesin në Konferencën e Donatorëve Ndërkombëtarë që do të zhvillohet sot Bruksel”.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)