BRUKSEL, 1 korrik /ATSH-AFP/ - BE-ja vendosi sot të përgatisë sanksione të reja kundër Rusisë pasi nuk po vërehet ndonjë lehtësim në krizën ukrainase duke e shtyrë për një mbledhje të së hënës vendimin përfundimtar për të nisur këto sanksione, njoftuan burime të ndryshme evropiane.
"Ambasadorët e 28 vendeve anëtare vendosën të intensifikojnë përgatitjen e sanksioneve të reja, që do të vazhdojnë të mbeten në nivelin e masave individuale", thekson një nga burimet.
"Por, duke gjykuar se situata në terren është shumë e paqartë pas vendimit të Kievit për të mos zgjatur armëpushimin kundër separatistëve, ambasadorët preferuan të shtyjnë marrjen e vendimit në një mbledhje të jashtzakonshme të parashikuar për të hënën e ardhshme", sipas të njëjtit burim.
"Ekspertëve iu kërkua që të shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të sanksioneve që prekin përgjegjës dhe individë rusë dhe prorusë", njoftoi një diplomat.
"Këto zgjerime të sanksioneve do të jenë sasiore dhe cilësore duke synuar të prekin sa më shumë persona me një bazë sa më të gjerë, por aktualisht nuk bëhet fjalë për të kaluar në masa të fazës së tretë që prekin sektorë të tërë të ekonomisë ruse", shpjegon ky burim i BE-së.
Të mbledhur të premten në Bruksel, krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së i kanë dhënë tre ditë kohë Rusisë për të angazhuar veprime konkrete që synojnë të ulin tensionet në lindje të Ukrainës./
/G.S/  a.jor.