TIRANE - Shqipëria mund të jetë shumë shpejt vendi i radhës në Ballkanin Perëndimor që i jepet statusi kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Agjencia italiane e lajmeve ANSA shkruan se dokumenti është përgatitur tanimë nga Komisioni dhe do të publikohet më 10 tetor në kuadër të raporteve të progresit për vendet aspirantë. Gjithsesi deri në dhjetor vendit tonë do t’i vendosen kushte të tjera për tu plotësuar, përpara marrjes së vendimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së.

ANSA shkruan se Brukseli pritet të vlerësojë faktin se dialogu mes qeverisë dhe opozitës solli kapërcimin e krizës politike që çoi më tej në miratimin e Kodit Zgjedhor dhe Reformës Parlamentare.

Drafti jopërfundimtar i Brukselit, i vituar nga ANSA, thotë se Tirana ka bërë "një punë substanciale në plotësimin e prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian për statusin dhe nisjen e negociatave të pranimit".

"Pasi ka dështuar që në vitin 2009 kur depozitoi kërkesën për statusin kandidat, Shqipëria tanimë është gati të kalojë provimin e Brukselit duke marrë një opinion pozitiv nga Komisioni Evropian në 10 tetor", shkruan ANSA.

Rekomandimi do t’i paraqitet në tryezë Këshillit të Bashkimit Evropian në muajin dhjetor dhe do të jenë 27 vendet anëtare që do të marrin vendimin përfundimtar.

Burime diplomatike sqarojnë për A1 Report dhe Shqiptarja.com se nga Komisionit pritet që të vendosen kushte të reja për Shqipërinë, të cilat do të caktohen në tetor sëbashku me raportin dhe duhet të plotësohen deri në dhjetor të këtij viti.

Thelbi i problemit të tanishëm është mungesa e konsensusit mes 27 vendeve anëtare për dhënien e statusit kandidat. Në rast se do të marrë dritën jeshile, Shqipëria mund të bëhet vendi i pestë në Ballkanin Perëndimor që merr statusin pas Kroacisë (që pranohet ne BE në korrikun e vitit 2013), ish republikës jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Këtyre u duhet shtuar Turqia dhe Islanda si vende kandidate ndërsa Bosnje Hercegovina dhe Kosova mbeten ende në pritje.

(dm/Gre.M/Shqiptarja.com)