BE dhe Seuli dënojnë përfshirjen e Koresë së Veriut në luftën ruse në Ukrainë

BE dhe Seuli dënojnë përfshirjen e Koresë së Veriut në luftën ruse në Ukrainë

Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Tae-yul

Bashkimi Evropian (BE) dhe Koreja e Jugut e kanë dënuar “fuqishëm” furnizimin e Rusisë me armë dhe forca speciale nga Koreja e Veriut, për ta ndihmuar Kremlinin në “luftën e tij të jashtëligjshme” kundër Ukrainës.

Komunikata e tyre e përbashkët u lëshua pasi kryediplomati i bllokut, Josep Borrell, dhe homologu i tij koreanojugor, Cho Tae-yul, u takuan në Seul të hënën, në një kohë kur po rriten druajtjet për rolin e Phenianit në luftën e nxitur nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.

“Kjo përbën shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar, përfshirë të parimeve më themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, thuhet në komunikatë.

“Një bashkëpunim i tillë midis DPRK-së [Koresë së Veriut] dhe Rusisë, jo vetëm që përbën shkelje të hapur të disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por gjithashtu zgjat vuajtjet e popullit ukrainas dhe kërcënon sigurinë globale, përfshirë atë të Republikës së Koresë dhe Evropës”, thuhet tutje në komunikatë.

Disa javë pasi u paralajmërua vazhdimisht nga shërbimet e inteligjencës se mijëra trupa koreanoveriore po dërgoheshin në Rusi, aleanca ushtarake e NATO-s konfirmoi në fund të muajit të kaluar se ushtarët e Phenianit jo vetëm që ndodhen në territorin rus, por janë dislokuar tashmë në një rajon perëndimor pranë kufirit me Ukrainën.

Kremlini nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka konfirmuar drejtpërdrejt praninë e trupave koreanoveriore në tokën e tij.

Dislokimi i tyre jo vetëm që e rriti frikën për një përshkallëzim të mundshëm të luftës në Ukrainë, por shkaktoi shqetësim në rajonin Indo-Paqësor për atë që Kremlini mund t'i ketë ofruar Phenianit në këmbim.

“Ne po vëzhgojmë me kujdes se çfarë do t’i japë Rusia DPRK-së në këmbim të furnizimit me armë dhe personel ushtarak, duke përfshirë furnizimin e mundshëm të materialeve dhe teknologjisë nga Rusia në mbështetje të synimeve ushtarake të Phenianit”, thuhet në komunikatën e përbashkët të BE-së dhe Koresë së Jugut.

“Ne jemi gjithashtu thellësisht të shqetësuar për mundësinë e transferimit të çfarëdo teknologjie që lidhet me raketat balistike ose armët bërthamore për DPRK-në, gjë që do të rrezikonte përpjekjet ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve dhe do të kërcënonte paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean dhe në mbarë globin”, përfundon komunikata./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet/ Trump nga Karolina e Veriut: 'Tarifa 25% nëse Meksika nuk ndal emigracionin!' Kampi i Harris: Ai po e mbyll me errësirë e zemërim

Zgjedhjet/ Trump nga Karolina e Veriut: 'Tarifa 25% nëse Meksika nuk ndal emigracionin!' Kampi i Harris: Ai po e mbyll me errësirë e zemërim