Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mori pjesë te mërkurën në promovimin e Programit të ri ndërkufitar Maqedoni-Shqipëri 2014-2020, financuar nga Bashkimi Europian, me një vlerë rreth 12 milionë euro.

Ky aktivitet u organizua në Strugë, në prani të Ministrit për Vetëqeverisje Lokale, Lirim Shabani Ambasadorit të BE-së në Shkup, Aivo Orav, Drejtorit të Sektorit politik në Tiranë, Clive Rumbold, si dhe strukturave operative të dy vendeve.

Në fjalën e saj Ministrja e Integrimit Europian, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes vendeve të gjithë rajonit, në kuadër të zhvillimit të tyre dhe avancimit me axhendën europiane.
“Shqipëria dhe Maqedonia kanë një destinacion të përbashkët. Aspirata e tyre është që në një kohë jo të largët të jenë pjesë e familjes së madhe europiane, ndaj nismat e përbashkëta, bashkëpunimi më intensiv në fusha që i shërbejnë zhvillimit të vendeve tona, përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë, është thelbësor”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Europian, ka rregulla dhe detyrime të cilat vendet aspirante janë të vetëdijshëm se duhet t’i plotësojmë. “Gjithsecili prej tyre, sot është në një fazë të ndryshme të këtij procesi. Megjithatë unë jam e bindur se një qasje sa më konstruktive në të gjithë rajonin, projektet e përbashkëta, dhe çdo iniciativë që na rrit partneritetin, i shërben mbarëvajtjes së këtij procesi”, tha Ministrja Gjosha.

klajda gjosha

Ministrja theksoi se Shqipëria ka qenë gjithnjë e angazhuar në ruajtjen e marrëdhënieve sa më të mira me fqinjët dhe gjithë partnerët e saj. “Ndaj në përputhje më këtë objektiv lind edhe më shumë nevoja që koordinimi i politikave të përbashkëta dhe mbështetja së ndërsjellë të jenë në nivele sa më të larta. Ne jemi të angazhuar për të punuar me autoritetet lokale, shoqërinë civile dhe grupet e interesit, në mënyrë që të garantojmë se bashkëpunimi ynë i ardhshëm do t’i shërbejë popullsisë së zonës së programit në të gjithë diversitetin e tyre”, tha Ministrja Gjosha.

Ministri për Vetëqeverisje Lokale, Lirim Shabani përshëndeti nisjen e këtij programi, duke nënvizuar rëndësinë e tij për nxitjen e mëtejshme të një bashkëpunimi real dhe efikas mes vendeve. “Objektivi është të nxisë zhvillim më të ekuilibruar, gjithëpërfshirës dhe zhvillim të qëndrueshëm socio- ekonomik të Zonës Kufitare dhe ajo është hartuar bazuar në analiza të hollësishme në zonën kufitare mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë e cila karakterizohet si një nga zonat më të varfra dhe një nga zonat me kushtet më të pafavorshme dhe mundësitë për zhvillim socio-ekonomik në të gjithë kontinentin Europian”, u shpreh Ministri Shabani.

Ministri theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë prioritet integrimin në Bashkimin Europian, dhe kanë vullnetin për të bashkëpunuar për realizimin e tij.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)