TikTok mund të përballet me një gjobë të rëndë nga Bashkimi Evropian, pasi Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime se algoritmi i platformës mund të dëmtojë shëndetin mendor të përdoruesve, veçanërisht fëmijëve dhe të rinjve.
Sipas gjetjeve paraprake të Komisionit Evropian, TikTok u shfaq përdoruesve, përfshirë ata më të cenueshëm, një rrjedhë të pafund videosh të personalizuara, që mund të përkeqësojë problemet psikologjike.
Brukseli paralajmëron se mënyra si funksionon algoritmi mund të rrisë rrezikun e varësisë nga platforma, ankthit dhe çrregullimeve të të ngrënit. Në qendër të shqyrtimit është faqja “For You”, e cila u rekomandon përdoruesve video bazuar në interesat dhe sjelljen e tyre në aplikacion.
Komisioni Evropian shqetësohet veçanërisht për fenomenin e njohur si “Rabbit Hole”, kur përdoruesit përfshihen në një cikël të vazhdueshëm videosh me përmbajtje të ngjashme, nga i cili e kanë të vështirë të shkëputen.
Sipas Brukselit, ky mekanizëm mund të bëhet i dëmshëm kur videot që përsëriten lidhen me trishtimin, vetminë apo mënyrën si përdoruesit e perceptojnë trupin e tyre. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjeve të tilla mund të përforcojë problemet ekzistuese psikologjike dhe të ndikojë negativisht në mirëqenien mendore.
Komisioni Evropian vlerëson gjithashtu se masat që TikTok ka marrë deri tani për mbrojtjen e përdoruesve nuk janë të mjaftueshme. Edhe opsioni “Nuk jam i interesuar”, që u mundëson përdoruesve të refuzojnë përmbajtje të caktuara, nuk konsiderohet efektiv për ndryshimin e rekomandimeve.
Për këtë arsye, Brukseli kërkon ndryshime në mënyrën si funksionon algoritmi. Sipas Komisionit, rekomandimet nuk duhet të bazohen më te koha që përdoruesit kalojnë duke parë një video. Në vend të kësaj, TikTok duhet t'u japë përdoruesve më shumë kontroll mbi videot që u shfaqen në faqen “For You”, në mënyrë që ata të zgjedhin më qartë përmbajtjen që dëshirojnë të shohin.











Komente
Komento