Dyshimet se agjentë të huaj po përpiqen të sigurojnë informacione sekrete nga institucionet e Bashkimit Europian kanë shtuar shqetësimet në Bruksel. Zyrtarët e Komisionit dhe Parlamentit Europian po trajnohen për të dalluar spiunët dhe përpjekjet për spiunazh, pas zbulimeve se shërbimet hungareze të inteligjencës dyshohet se kanë tentuar të rekrutojnë informatorë brenda institucioneve europiane.
Sipas një raportimi të POLITICO, trajnimet përfshijnë ushtrime praktike, ku zyrtarët vendosen në rolin e spiunëve për të kuptuar se si mund të sigurohen informacione konfidenciale.
Në një prej ushtrimeve, të quajtur “Cyber Escape Game”, pjesëmarrësit ndahen në grupe deri në pesë persona dhe kanë 45 minuta kohë për të kontrolluar një zyrë private, ku duhet të mbledhin sa më shumë informacione për personin që punon aty.
Më pas, duke kombinuar dokumentet dhe të dhënat e gjetura në zyrë me informacionet e disponueshme në internet, ata përpiqen të sigurojnë akses në llogaritë online dhe të dhënat private të personit.
“Na kërkuan të kërkonim informacione në një zyrë. Qëllimi ishte të kuptonim se sa shumë mund të zbulonim duke kombinuar informacionet në internet me detajet që gjendeshin në zyrë apo në koshin e mbeturinave”, tregoi një zyrtar i Parlamentit Europian që kishte marrë pjesë në trajnim.
Në një tjetër ushtrim, zyrtarëve iu kërkua të identifikonin objekte të dyshimta të vendosura në një dhomë, të cilat mund të përdoreshin për përgjim. Një pjesë e rëndësishme e trajnimeve lidhet me mënyrat se si agjentët e huaj mund t'u afrohen zyrtarëve përmes marrëdhënieve personale apo romantike, për të marrë informacione të ndjeshme ose për t'i shantazhuar.
Një zyrtar i Parlamentit Europian tha se ishte paralajmëruar të tregonte kujdes ndaj personave që shfaqnin interes të pazakontë për punën e tij dhe të shmangte situatat personale që mund ta komprometonin.
Këto paralajmërime kanë marrë rëndësi të veçantë pas rastit të Jensen Huang, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar nga drejtimi i gjigantit amerikan të çipave Nvidia. Huang dyshohet se ishte vënë në shënjestër të një operacioni të inteligjencës kineze përmes një drejtueseje kompanie, me të cilën kishte një marrëdhënie jashtëmartesore. Rasti ka ngritur shqetësime për përdorimin e lidhjeve intime si mjet për të siguruar informacione ose për të krijuar mundësi shantazhi.
Ndërkohë, në Bruksel janë shtuar shqetësimet edhe pas zbulimeve se oficerë të inteligjencës hungareze dyshohet se kanë tentuar të rekrutojnë informatorë brenda institucioneve të BE-së.
Trajnimet janë zhvilluar nga drejtoria e sigurisë kibernetike e Komisionit Europian dhe janë të disponueshme për të gjithë punonjësit, përfshirë stafin e përkohshëm dhe praktikantët. Programi nuk është i ri, por ekzistenca e tij nuk ishte raportuar më parë.
Paralelisht, shërbimet e inteligjencës, përfshirë Shërbimin e Sigurisë së Shtetit të Belgjikës, po zhvillojnë takime me eurodeputetë dhe zyrtarë të tjerë europianë, për t'i paralajmëruar mbi kërcënimet nga spiunazhi i huaj dhe mënyrat se si mund të shmangin përpjekjet për rekrutim.









Komente
Komento