BE konfirmon se më 15 maj do të diskutohet për dinarin serb

BE konfirmon se më 15 maj do të diskutohet për dinarin serb

Dinari serb

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se më 15 maj Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Ky do të jetë takimi i shtatë me radhë në nivel të kryenegociatorëve kushtuar kësaj teme, teksa në gjashtë takimet e mëhershme kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, nuk kanë arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

Gjatë konferencës për media në Bruksel, duke folur për takimin e radhës për çështjen e dinarit, Stano tha se BE-ja pret që palët të dëshmojë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila sipas tij, do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

“Presim që palët të kenë sjellje evropiane dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Kryenegociatorët mëtojnë të gjejnë zgjidhje përmes diskutimeve konfidenciale, e këto janë mënyra evropiane për gjetjen e zgjidhjeve. BE-ja vazhdon t’iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin i cili është i nevojshëm sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve”, tha Stano.

Më herët, Stano kishte deklaruar se takimi i 15 majit do të jetë takimi i fundit për temën e dinarit. I pyetur për pritjet që takimi i së mërkurës të jetë vërtetë i fundit, Stano tha se “BE-ja gjithmonë pret që secili takim ku kërkohet zgjidhje për problemet të jetë edhe final, por kjo varet nga gatishmëria e palëve për të gjetur zgjidhje”.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë se hezitimi për të gjetur zgjidhje për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në dialogu për shkak se fokusi tash është në këtë çështje. Ai tha se prioritet mbetet zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.

Njoftimi për takimin e radhës të dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, vjen pasi gjatë fundjavës që shkoi përfundoi periudha tranzitore e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë.

Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt, por autoritetet vendosën një fazë tranzitore, që mundësonte lehtësim për zbatimin e këtij vendimi.

Rregullorja e BQK-së parasheh ndëshkime për ata që përdorin dinar serb. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi për transmetuesin publik të Kosovës se rregullorja e BQK-së ka për qëllim ligjshmërinë “dhe jo ndëshkimin dhe dënimin”.

Pavarësisht se ka kaluar afati i periudhës tranzitore, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, sipas reporterëve të Radios Evropa e Lirë, dinari serb po vazhdon të qarkullojë.

Ndryshe, në rundin e fundit të dialogut, të mbajtur më 25 prill, kryengociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paraqitur një propozim të ri që synon të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë.

Bislimi nuk tregoi detaje konkrete të propozimit, por tha se Kosova dhe Serbia duhet të japin mendimet e tyre për të në shtatë ditët e ardhshme.

“Le të themi që propozimi i sotëm është më i detajuar se ai i kaluari dhe sqaron më mirë disa prej pikave dhe vërejtjeve që ne kemi pasur në idetë e tij fillestare”, deklaroi Bislimi më 25 prill, duke shtuar se propozimi është një përpjekje e mirë për të gjetur zgjidhje dhe se brenga kyçe e Lajçakut është që të adresojë se si personat e prekur nga vendimi i BQK-së të mund të vazhdojnë të marrin ndihmë financiare nga Serbia.

Vendimi i BQK-së ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik. REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!