BE: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar

BE: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar

Flamujt e BE

Ditën kur qeveria e Kosovës do të duhej ta miratonte udhëzimin administrativ që u hap rrugë zgjedhjeve të reja në veri, zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se duan zgjedhje të shpejta, pa parakushte e gjithëpërfshirëse. Por, ata nuk kanë dhënë një vlerësim përkitazi me rrugën që ka zgjedhur qeveria drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dhe as nëse kanë marrë garanci në Beograd se serbët nuk do t’i bojkotojnë ato

Zgjedhje pa parakushte dhe gjithëpërfshirëse ku marrin pjesë edhe serbët në veri kanë kërkuar zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE), kur janë pyetur nëse pajtohen me rrugën që ka zgjedhur qeveria për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, përmes peticionit qytetar për largimin e kryetarëve aktualë.

Qëndrimin e kanë dhënë pas takimit që emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Por, në Bruksel nuk kanë treguar nëse kanë marrë garanci nga Vuçiqi se nuk do t’i thërrasë serbët për bojkot.

“Sa u përket zgjedhjeve, edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetarë të komunave të mbajtura në prill 2023 në katër komunat e veriut të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, ato nuk kanë ofruar një zgjidhje politike afatgjate. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Referuar procedurave të përcaktuara, serbëve do t’u duhet që t’u drejtohen dy herë kutive të votimit – një herë për t’i larguar kryetarët aktualë e më pas edhe për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Stano e ka përsëritur se zgjedhjet në veri duhet të mbahen në përputhje me dakordimin e arritur për shtensionimin e situatës.

“BE-ja nënvizon deklaratën e Përfaqësuesit së Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, e cila i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023”, ka theksuar ai.

Qëndrimi i BE-së është dhënë një ditë pasi qeveria e shtyu për disa ditë miratimin e udhëzimit që i hap rrugë peticionit. Sipas deklaratës së zëvendësdrejtorit të Departamentit Ligjor në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Besim Murtezani, dhënë “Kosovapresit”, grupit punues i duhen edhe dy-tri dite kohë për përfshirjen e vërejtjeve nga diskutimi publik.

Por në platformën e Konsultimeve Publike është vetëm një organizatë që ka dhënë komente lidhur me udhëzimin. Sipas Organizatës, “Shëndetësia e Bashkuar Kosovare”, dokumentit të draftuar i mungojnë klauzola dhe nene të rëndësishme të cilat janë vendimtare për të garantuar të drejtat kushtetuese të qytetarëve të Kosovës.

“Duke marrë parasysh luhatjen e pjesëmarrjes aktive të votuesve të regjistruar, përkatësisht elektoratit, dalja e votës nga 35% në 45%, propozimi i një pragu të nënshkrimeve prej 20% bëhet tepër kërkues dhe jo realist. Ky prag efektivisht përbën gjysmën e atyre që marrin pjesë në votime, e në disa komuna madje e kalon dyfishin e numërimit të tyre”, shkruan në komentin e kësaj organizate.

Kësisoj, është propozuar që pragu për t’u konsideruar i pranueshëm peticioni të jetë prej 5 për qind deri në 15 për qind, duke e marrë si shembull Suedinë dhe Norvegjinë. Në Ministrinë e Pushtetit Lokal nuk kanë treguar nëse do ta konsiderojnë uljen e këtij pragu dhe ndryshimet tjera që planifikojnë t’i bëjnë.

Sipas draft-udhëzimit aktual, inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës, mund ta bëjë secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse. Por kërkesa duhet mbështetur nga së paku 20 për qind e votuesve të regjistruar, në mënyrë që të organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës.

Verifikimin e nënshkrimeve duhet ta bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në përputhje me legjislacionin ku me pas e njofton kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe Ministrinë, me vlerësimin përfundimtar.

Organizimi i zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë, përbën një nga masat, krahas tërheqjes së njësive speciale përreth objekteve komunale, për të cilat ishte pajtuar përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të BE-së, në një takim në Bratislavë. Por zyrtarët serbë, që nuk kanë treguar nëse do t’i inkurajojnë serbët të dalin në zgjedhje, kanë vazhduar me akuza në adresë të qeverisë së Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se, kryeministri Kurti nuk dëshiron paqe dhe deeskalim, “por ua vështirëson situatën serbëve në Kosovë për t’i provokuar ata që të shkaktojnë një krizë të re dhe në këtë mënyrë të shmanget zbatimi i detyrimeve të marra”. Pas bojkotimit të zgjedhjeve të 23 prillit nga serbët, për herë të parë në katër komunat veriore u zgjodhën kryetarë shqiptarë. Ata u kundërshtuan nga serbët, edhe nëpërmjet protestave të dhunshme./Koha.net

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?