BE me mision vëzhgues të zgjedhjeve lokale në Kosovë

BE me mision vëzhgues të zgjedhjeve lokale në Kosovë

Foto ilustruese

Bashkimi Evropian do të dërgojë në Kosovë një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Kërkesa drejtuar BE për këtë mision vëzhgimi është bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në një njoftim të lëshuar nga zyra e BE në Kosovë thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, emëroi deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet lokale në Kosovë. Sipas Borrelit, “Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj evropian dhe në forcimin e qeverisjes demokratike”.

“Për të tretën herë, ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes një misioni të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Besoj se prania e këtij misioni do të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe të ndihmojë reformat e nevojshme zgjedhore për të ardhmen. Presim që të vazhdojmë bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës për të forcuar procesin zgjedhor, në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e misioneve tona”, tha Borrelli.

10 ekspertë zgjedhorë të BE janë vendosur në Prishtinë

Ndërkohë i emëruari si kryesues i misionit, deputeti austriak Lukas Mandl, tha se “është i bindur se misioni do të sjellë një vlerë të shtuar në procesin zgjedhor. U gëzohem takimeve dhe angazhimit me autoritetet në terren, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe pjesëmarrësit tjerë në procesin zgjedhor”, tha Mandli. 10 ekspertë zgjedhorë të BE-së tashmë janë vendosur në Prishtinë, ndërsa deri në mes të shtatorit do të arrijnë edhe 22 vëzhgues afatgjatë.

Situata e pandemisë në Kosovë, ku shifrat e infeksioneve dhe rastet e vdekjeve nga Covid-19 akoma janë të larta, vazhdon të jetë shqetësuese. Për këtë shkak, partitë politike tashmë janë dakorduar që të ketë shkurtim të fushatës zgjedhore, dhe ajo të jetë jo 30 ditë ashtu siç parashihet me ligj. Megjithatë për shkurtimin e fushatës zgjedhore vendimin e merr Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mirëpo në këtë organ vendimmarrës sipas kryetarit të ri të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, asnjë nga partitë politike në Kosovë, nuk kanë parashtruar akoma ndonjë kërkesë lidhur me shkurtimin e periudhës se fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

“Nëse partitë politike parashtrojnë një kërkesë të tillë në KQZ, ne do ta trajtojmë kërkesën, kemi Këshillin për çështje ligjore, ku do ta trajtojnë Ligjin për Zgjedhje dhe Ligjin për Parandalimin e Pandemisë dhe do të veprohet përshtatshmërisht", ka deklaruar Radoniqi, duke rikujtuar se gjithsesi në planin operacional, KQZ-ja ka për obligim të zbatojë masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit edhe ditën e zgjedhjeve.

Më 28 gusht qeveria e Kosovës ashpërsoi masat anti-Covid, duke kufizuar lirinë e lëvizjes dhe shkurtimin e orarit për gastronominë. Në bazë të këtij vendimi, 30 persona lejohen në ambiente të mbyllura, kurse në ambiente të jashtme vetëm deri  në 50 persona, çka nënkupton se tubimet e partive politike do të jetë shumë të kufizuara. /DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Blinken: Armëpushimi në Liban do të ndihmojë për t’i dhënë fund luftës në Gaza

Blinken: Armëpushimi në Liban do të ndihmojë për t’i dhënë fund luftës në Gaza