Në Bruksel janë gati për anëtarë të rinj. Komisionerja për Zgjerim thotë se momenti është historik.

“Një vit më parë kishte shumë cinikë kur ne flisnim për zgjerimin. Por ne kemi bërë hapa shumë të mëdhenj përpara. Kjo ka të bëjë me të ardhmen e Bashkimit Evropian, ta afrojmë kontinentin, ta zgjerojmë zonën e demokracisë, paqes dhe prosperitet. Kjo kërkon kurajë politike, besim dhe punë të madhe nga të dyja palët”, tha Kos.

Në prezantimin e Paketës së Zgjerimit me progres raportet për 10 vendet kandidate Kos dhe udhërrëfyesit për 4 vende pararojë, Kos tha se bisedimet për integrimin nis brenda pak muajsh. 

“Në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, do të nisim dialogët për integrimin gradual me vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, për të vlerësuar masat ekzistuese dhe për të shqyrtuar mundësi të mëtejshme integrimi.  Një fokus i ri te ndërlidhja e zhvillimeve të sigurisë evropiane. Dezinformimi, sulmet kibernetike dhe krimi i organizuar na prekin të gjithëve. Ne fitojmë më shumë kontroll mbi migracionin dhe krimin e organizuar, si dhe forcojmë aftësinë e Evropës për t'u përballur me presionet e jashtme”, tha Kos.

Shqipëria si një prej 2 vendeve më pararojë duhet të ruajë ritmin e reformave.

“Shqipëria është një nga vendet pararojë dhe po ruan ritmin e përparimit. Në pak më shumë se një vit, Shqipëria ka hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave. Ajo ka përmbushur standardet e ndërmjetme në fushat themelore dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapitujt e parë.

Kjo është një arritje e rëndësishme. Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave për të ecur drejt mbylljes së kapitujve të mbetur. Në themel të çdo përpjekjeje reformuese duhet të jenë shteti i së drejtës, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore”, u shpreh komisionerja.

Marta Kos tha se Mali i Zi është në rrugën e duhur për t'u bërë shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028, ndërsa traktati i anëtarësimit mund të nënshkruhet më së hershmi në qershor të vitit 2027.

Për Kosovën vlerësimi nuk ishte pozitiv, pasi fragmentimi politik ka penguar përparimin në reformat kyçe.

Moldavinë, Komisionerja Kos e cilësoi si vendin me performancën më të mirë që po bën hapa të mëdhenj përpara, ndërsa Ukraina tha se ka përshpejtuar ritmin e reformave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:40
Integrimi/ Kaja Kallas: Shqipëria ka shënuar progres, detyra është të ruajë ritmin e reformave

1793821476_kajakallas.jpg

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, prezantoi gjetjet e raportit vjetor të Komisionit Evropian për Zgjerimin, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij procesi për sigurinë e Evropës.

Kallas e renditi Shqipërinë mes katër vendeve më të avancuara drejt anëtarësimit në BE, së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën. Ajo vlerësoi hapjen e të gjithë grupkapitujve të negociatave nga Shqipëria në pak më shumë se një vit, por theksoi se vendi duhet të ruajë ritmin dhe të përshpejtojë reformat.

“Për herë të parë, ne prezantojmë udhërrëfyes për negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Këto katër vende janë më të avancuarat në rrugën drejt anëtarësimit. Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në pak më shumë se një vit. Detyra tani është të ruajë këtë ritëm duke përshpejtuar reformat", tha Kallas. 

Pas hapjes së të gjithë grupkapitujve, Shqipërisë i kërkohet të vijojë me zbatimin e reformave. Kallas theksoi se përparimi drejt anëtarësimit do të varet nga rezultatet dhe respektimi i shtetit të së drejtës, ndërsa detyrimet e marra përsipër do të vijojnë edhe pas hyrjes në union.

“Meritat dhe reformat do të vazhdojnë të përcaktojnë ritmin e anëtarësimit, ashtu si edhe respektimi i shtetit të së drejtës dhe i të drejtave themelore. Dua të theksoj se angazhimet e ndërmarra gjatë rrugës drejt anëtarësimit nuk përfundojnë pas hyrjes në Bashkimin Evropian", vijoi Kallas.